Kryeministri belg uron Albin Kurtin për mandatin e ri, shpreh gatishmëri për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me rastin e marrjes së mandatit të ri, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Në letrën e tij, De Wever ka vlerësuar rritjen e kontakteve politike ndërmjet dy qeverive, duke përmendur takimin me…

Lajme

19/10/2026 15:42

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me rastin e marrjes së mandatit të ri, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në letrën e tij, De Wever ka vlerësuar rritjen e kontakteve politike ndërmjet dy qeverive, duke përmendur takimin me Kurtin në New York në shtator të vitit të kaluar, si dhe vizitën e ministrit të Jashtëm belg, Prévot, në Prishtinë në prill të këtij viti.

“Kontaktet politike ndërmjet dy qeverive tona janë shtuar në vitet e fundit dhe, pasi ju takova në New York në shtatorin e vitit të kaluar, ju mirëpritët ministrin tim të Punëve të Jashtme, z. Prévot, në Prishtinë në prill të këtij viti. Këto shkëmbime reflektojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar De Wever.

Kryeministri belg ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës në fushën e policisë dhe drejtësisë, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar.

Ai ka shprehur interesim që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe në fusha të tjera, përfshirë mbrojtjen dhe sistemin e burgjeve, si dhe në forcimin e lidhjeve ekonomike.

“Shpresoj që do të kemi mundësi të zgjerojmë bashkëpunimin tonë më tej në fusha të tjera, përfshirë mbrojtjen dhe burgjet, gjithashtu duke thelluar lidhjet tona ekonomike, posaçërisht duke ndërtuar mbi lidhjet e forta njerëzore të krijuara nga diaspora”, thuhet në letrën e kryeministrit belg.

De Wever ka theksuar se luftimi i krimit të organizuar mbetet çështje me rëndësi të veçantë për të dyja vendet, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në këtë drejtim.