​Protestat në Shqipëri, PE apel për dialog dhe vetëpërmbajtje

Delegacioni i Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë kanë shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht për ngjarjet e regjistruara në Tiranë gjatë ditëve të fundit. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në Bruksel, kryetari i Delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe…

Lajme

19/10/2026 13:02

Delegacioni i Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë kanë shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht për ngjarjet e regjistruara në Tiranë gjatë ditëve të fundit.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në Bruksel, kryetari i Delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, dënojnë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave, si dhe sulmet ndaj institucioneve publike dhe dëmtimin e pronës publike e private.

“Ne dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në një zgjidhje dhe nuk kanë vend në demokraci”, thuhet në deklaratë.

Eurodeputetët shprehin gjithashtu shqetësim për raportimet mbi përdorimin e mundshëm të tepruar të forcës nga policia gjatë menaxhimit të protestave, duke kërkuar hetim të plotë dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale për çdo shkelje të mundshme.

“Gjithashtu shprehim shqetësim serioz në lidhje me raportet për përdorim të tepruar të forcës policore kundër protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe organeve përkatëse të bëjnë çmos për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës”.

Dy eurodeputetët bëjnë thirrje për nisjen e një dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për shqetësimet e ngritura nga protestuesit.

“Ne bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë midis të gjitha palëve të interesuara, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje kuptimplote për të adresuar çdo ankesë të shprehur nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane”, theksohet në deklaratë.

Në përfundim, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian rikujtojnë se respektimi i shtetit të së drejtës dhe i standardeve demokratike mbetet kushti themelor për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.