Berisha akuzon policinë për gaz lotsjellës në selinë e PD-së: Skenar për të sulmuar opozitën

Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara pranë selisë së PD-së në Tiranë, duke akuzuar policinë për përdorimin e gazit lotsjellës ndaj personave që ndodheshin në oborrin e godinës. Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se ndërhyrja e policisë ishte e qëllimshme dhe pjesë e një skenari…

Lajme

18/10/2026 21:23

Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara pranë selisë së PD-së në Tiranë, duke akuzuar policinë për përdorimin e gazit lotsjellës ndaj personave që ndodheshin në oborrin e godinës.

Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se ndërhyrja e policisë ishte e qëllimshme dhe pjesë e një skenari për të sulmuar opozitën.

Ai tha se në oborrin e selisë së PD-së ndodheshin demokratë dhe se, sipas tij, policia hodhi sasi të mëdha gazi lotsjellës pa pasur provokime paraprake.

“Në oborr ishin demokratë dhe u hodh gaz lotsjellës. Këtu në PD është një rrugë kalimi, policia në mënyrë kriminale dhunoi oborrin e PD-së. Hodhën sasi të mëdha të bombolave të gazit, pa pasur asnjë lloj provokimi. Sasitë e gazit kanë qenë kolosale, i kanë helmuar njerëzit”, deklaroi Berisha.

Ai lëshoi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave dhe duke thënë se opozita do të qëndrojë deri në rrëzimin e qeverisë.

Berisha paralajmëroi gjithashtu se dita e nesërme do të jetë e shënuar nga mosbindja civile, duke pretenduar se ekziston një skenar për sulm ndaj selisë së Partisë Demokratike.

“Paralajmëroj Edi Ramën se demokratët janë në këmbë më shumë se kurrë në Tiranë, por edhe në mbarë Shqipërinë, nga Saranda deri në Tropojë. Regjimi do të dridhet, nesër është një ditë e mosbindjes civile. Ka skenar për të sulmuar selinë e PD-së”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së foli edhe për trajtimin e të miturve gjatë ndërhyrjes, duke deklaruar se opozita do t’i marrë ata në mbrojtje.

Në fund, Berisha përsëriti qëndrimin e tij kundër qeverisë, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e asaj që ai e cilësoi si “narko-shtet”.