Pamje kaosi në Paris, makina të djegura e xhama të thyer
Franca është zgjuar të dielën me pamje të dëmeve të mëdha pas një dite protestash dhe trazirash, ku u thyen vitrinat e dyqaneve, u dogjën automjete dhe rrugët u mbushën me xhama e mbeturina. Policia arrestoi rreth 1 mijë e 800 persona të shtunën, ndërsa rreth 550 mijë protestues dolën në rrugë për të kundërshtuar…
Bota
Franca është zgjuar të dielën me pamje të dëmeve të mëdha pas një dite protestash dhe trazirash, ku u thyen vitrinat e dyqaneve, u dogjën automjete dhe rrugët u mbushën me xhama e mbeturina.
Policia arrestoi rreth 1 mijë e 800 persona të shtunën, ndërsa rreth 550 mijë protestues dolën në rrugë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të karburanteve, koston e jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike, përfshirë arsimin.
Edhe pse pjesa më e madhe e protestave ishte paqësore, grupe personash të maskuar shkaktuan trazira në Paris, Marsejë, Lilë dhe qytete të tjera.
Në Paris, protestuesit u përplasën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji. U raportuan gjithashtu djegie automjetesh e ndërtesash dhe plaçkitje të dyqaneve, shkruan BBC.
Në Marsejë, protestuesit hynë me forcë në ndërtesën e bashkisë, ndërsa në Lilë u dogj një restorant i McDonald’s dhe u plaçkit një dyqan i Apple, sipas policisë.
Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, bëri të ditur se gjatë trazirave janë lënduar 150 policë.
Të dielën në mëngjes, pronarët e dyqaneve në Paris nisën pastrimin e dëmeve, ndërsa vitrinat e thyera të dyqaneve luksoze dhe mbishkrimet në mure dëshmonin për përmasat e trazirave.
Një pronar dyqani rrobash pranë sheshit Place de la Republique i tha BBC-së se grabitësit qëndruan brenda lokalit për më shumë se një orë e gjysmë, pa parë asnjë polic gjatë asaj kohe.
Ai tha se, sipas tij, personat që plaçkitën dyqanin po shfrytëzonin protestat për të kryer vjedhje, dhe nuk po protestonin për koston e jetesës apo kushtet në shkolla.