Bota i ka kthyer reflektorët kah Tirana – Shqipëria në fokusin ndërkombëtar pas protestave, kërkohet dialog dhe qetësi

Protestat e ditëve të fundit në Shqipëri kanë nxitur reagime nga përfaqësues amerikanë dhe organizata ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe kanë bërë thirrje për respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Në ditën e pestë të protestave, reagimet janë përqendruar te përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, e…

Lajme

17/10/2026 23:03

Protestat e ditëve të fundit në Shqipëri kanë nxitur reagime nga përfaqësues amerikanë dhe organizata ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe kanë bërë thirrje për respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve.

Në ditën e pestë të protestave, reagimet janë përqendruar te përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, e drejta për tubim paqësor dhe nevoja për të shmangur përdorimin e tepruar të forcës, transmeton lajmi.net.

Joe Wilson: Të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre

Kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka shprehur shqetësim për krizën në përshkallëzim në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët meritojnë liri, sundim të ligjit dhe institucione që japin llogari.

Përmes një postimi në platformën X, ai i ka bërë thirrje qeverisë që të përmbahet nga dhuna ndaj protestuesve.

“Po e ndjek me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit”, ka shkruar Wilson.

Robert Aderholt: Të gjitha palët ta refuzojnë dhunën

Edhe kongresisti republikan amerikan, Robert Aderholt, ka reaguar për zhvillimet në Shqipëri, duke kërkuar që të gjitha palët të refuzojnë dhunën dhe që qeveria të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë.

Aderholt ka theksuar se Shqipëria, si aleate e NATO-s, duhet të garantojë sundimin e ligjit, llogaridhënien institucionale dhe lirinë e shprehjes.

“Jam thellësisht i shqetësuar për trazirat në përshkallëzim në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për ta shprehur zërin e tij”, ka shkruar ai.

Ai ka vënë theks të veçantë edhe te roli i të rinjve në përcaktimin e së ardhmes së vendit.

“Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet t’i respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit”, ka deklaruar Aderholt.

Keith Self: Protestat tregojnë mosbesimin ndaj politikanëve të korruptuar

Reagimeve ndërkombëtare për protestat në Shqipëri u është bashkuar edhe kongresisti republikan amerikan, Keith Self, i cili i ka cilësuar ato si shprehje të mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësisë me sundimin e ligjit.

Përmes një reagimi, Self u ka bërë thirrje udhëheqësve shqiptarë që t’i dëgjojnë kërkesat e qytetarëve dhe të ndërmarrin ndryshime thelbësore që do të krijonin më shumë mundësi ekonomike dhe do të kontribuonin në stabilitetin rajonal.

“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, ka shkruar Self.

OKB-ja kërkon respektimin e të drejtave themelore

Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka bërë thirrje për dialog konstruktiv dhe respektimin e të drejtave themelore gjatë protestave.

Në reagimin e saj, OKB-ja ka theksuar se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit duhet të respektohen e të mbrohen.

Organizata ka nënvizuar gjithashtu se çdo ndërhyrje e forcave të rendit duhet të jetë proporcionale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

OKB-ja ka dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke vlerësuar se veprime të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe paqësore.

Bashkimi Evropian kërkon hetimin e pretendimeve për përdorim të forcës

Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e protestave dhe ka kërkuar respektimin e së drejtës për tubim paqësor.

BE-ja ka theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes, ndërsa ka kërkuar që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve të trajtohen me seriozitet dhe të hetohen.

Delegacioni ka bërë thirrje për dialog konstruktiv mes palëve, si rrugë për uljen e tensioneve dhe tejkalimin e situatës.

Ambasada britanike dhe ajo amerikane me thirrje për qetësi

Edhe përfaqësitë diplomatike të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara në Tiranë kanë theksuar rëndësinë e protestave paqësore dhe respektimit të ligjit.

Ambasada britanike ka nënvizuar se e drejta për protestë nuk e arsyeton dhunën apo dëmtimin e pronës publike dhe private, duke kërkuar gjithashtu që përdorimi i forcës nga policia të jetë proporcional.

Ndërkaq, Ambasada amerikane ka inkurajuar qytetarët që t’i shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë të ligjshme dhe paqësore, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në angazhimin qytetar.

Protestat në Shqipëri janë nxitur nga pakënaqësitë lidhur me korrupsionin e pretenduar, gjendjen në arsim dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra.

Përplasjet kanë shkaktuar lëndime në mesin e protestuesve dhe zyrtarëve policorë, ndërsa janë raportuar edhe dëme në objekte publike dhe biznese private./lajmi.net/