Protestat në Tiranë, ish-ministri Lleshaj alarmon studentët: E besoj që ka shërbime të huaja, protestuesit të ruhen nga të infiltruarit

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u ka bërë thirrje studentëve që të tregojnë kujdes ndaj personave të infiltruar në protestë. Në Ditarin e Fundajvës me Denisa Pashollin, Lleshaj beson se në protestë janë përfshirë edhe shërbime të huaja. “Në qoftë se në vendin tonë një protestë rinore infiltrohet nga shërbime të huaja armiqësore, të cilat…

Lajme

17/10/2026 16:57

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u ka bërë thirrje studentëve që të tregojnë kujdes ndaj personave të infiltruar në protestë.

Në Ditarin e Fundajvës me Denisa Pashollin, Lleshaj beson se në protestë janë përfshirë edhe shërbime të huaja.

“Në qoftë se në vendin tonë një protestë rinore infiltrohet nga shërbime të huaja armiqësore, të cilat e besoj fort unë që infiltrojnë, sepse atë detyrë kanë shërbimet e huaja. Paguhen për këtë punë që t’i infiltrojnë shërbimet armiqësore të një vendi. Paguhen që ta destabilizojnë, ta shkatërrojnë, ta minojnë, ta vonojnë n atë vend në progresin e tij”, theksoi ai.

Por përballë kësaj situate Lleshaj, thekson se përgjegjësia për parandalimin e tyre u takon institucioneve shtetërore.

“Dhe në qoftë se ato e kanë këtë detyrë, kemi dhe ne një detyrë për të mbrojtur prej tyre. Në qoftë se një shërbim i infiltruar në Shqipëri, pyetja është ku është shërbimi jonë? A kemi edhe ne një shërbim që na mbron prej tyre? E vetmja gjë që qeveria në këto në kushte s’duhet të bëjë, s’duhet të flasë. Pra s’duhet të bëjë analizë, duhet të bëjë veprime, duhet të marrë vendime”, theksoi ai.

I pyetur nëse priste një vendimmarrje politike në aspektin e dorëheqjes të ministrit të Brendshëm Ervin Demo, Lleshaj tha se dorëheqja është një akt përgjegjësie, teksa kujtoi dorëheqjen e tij.

“Unë di një gjë. Në qoftë se studentët çedojnë, përgjegjësia është e pedagogëve të tyre, e profesorëve të tyre. Në qoftë se policët çedojnë, përgjegjësi është e ministrit të tyre. Në qoftë se shoqëria çedon, përgjegjësia është e establishmentit edhe udhëheqjes së saj. Në këtë kuptim nuk ka askush alibi në këtë situatë. Nuk i jep mend askujt të bëjë çfarë të bëjë. Unë i kam dhënë mend vetes time dikur kur për një incident, për një incident të ndodhur natën, jo në kushte të një veprimi të organizuar të policisë, por në kushte të një veprimi individual të një patrulle policie, e kam dhënë dorëheqjen ndërkohë që e konsideroj veprimin më të mirë në karrierën time, i cili më ka çliruar, më ka dhënë një sens tjetër të detyrës. Kështu që dorëheqja është gjëja më e vogël. Dorëheqja duhet dhënë dhe kot”, theksoi ai.

Ish-ministri i shikon të rinjtë e protestës së përcaktues të qeverisë së re, që kanë të drejtë të dëgjohen.

“Këta të rinj kanë të drejtë të dëgjohen. Unë nuk them me këtë që këta të rinj duhet t’i bëjmë kryetar shteti në këtë moshë, por këta të rinj duhet ta përcaktojnë qeverinë e re. Kjo frymë e re për mendimin tim është frymë e shëndoshë”, u shpreh ai./A2CNN/