BQK: Miratimi i ndryshimeve në ligjin kundër pastrimit të parave, hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në SEPA
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Sipas BQK-së, miratimi i këtij ligji…
Lajme
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas BQK-së, miratimi i këtij ligji përmbush një nga kushtet kryesore legjislative për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në SEPA, të cilin institucioni e kishte nisur me paraaplikimin në vitin 2024, raporton lajmi.net
Pas hyrjes së ligjit në fuqi, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret përkatëse dhe do të përfundojë përditësimin teknik të aplikimit, duke marrë parasysh edhe ndryshimet e ndërkohshme në legjislacionin evropian dhe duke u koordinuar me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian.
Komunikatë e plotë:
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpret miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (AML/CFT), duke e vlerësuar këtë si një hap shumë të rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Me miratimin e këtij Ligji plotësohet një nga kushtet kryesore legjislative, duke i hapur rrugë vazhdimit të procesit të nisur nga BQK-ja me paraaplikimin në vitin 2024. Pas hyrjes së Ligjit në fuqi, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret përkatëse që burojnë prej tij dhe do të finalizojë përditësimin teknik të aplikimit, duke reflektuar edhe ndryshimet e ndërkohshme në legjislacionin evropian, në koordinim me institucionet përkatëse të BE-së.
Me përmbylljen e këtyre hapave, aplikimi do të dorëzohet për shqyrtim sipas procedurave dhe afateve të institucioneve kompetente evropiane. Ndërkohë, BQK-ja, në bashkëpunim me sektorin bankar, po vazhdon përgatitjet për zbatimin e skemave të pagesave SEPA.
BQK-ja mbetet e përkushtuar që procesi të avancojë sa më shpejt, duke siguruar përmbushjen e kërkesave përkatëse dhe koordinimin e nevojshëm me institucionet evropiane.
Përfshirja e Kosovës në SEPA do t’u mundësojë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës pagesa ndërkufitare në euro më të shpejta, më të lehta dhe me kosto më të ulët, me kursime të vlerësuara në mbi 55 milionë euro në vit.
Komunikata në web-faqe 🔗 https://bqk-kos.org/news/bqk-miratimi-i-ligjit-per-aml-cft-hap-rrugen-per-hapat-e-fundit-per-finalizimin-e-aplikimit-te-kosoves-ne-sepa/