I dyshuari për vrasjen e djalit të tij në Pogragjë të Gjilanit i pakapshëm për organet e sigurisë- vazhdon të jetë në arrati

Janë bërë gati një javë që nga dita kur një ngjarje e rëndë trazoi gjithë vendin. Bëhet fjalë për vrasjen e rëndë në Pogragjë të Gjilanit, ku babai qëlloi me armë zjarri djalin e tij. 29 vjeçari Bajram Arifi humbi jetën pas të shtënave me armë nga babai i tij Remzi Arifi. Që nga dita…

Lajme

16/10/2026 10:24

Janë bërë gati një javë që nga dita kur një ngjarje e rëndë trazoi gjithë vendin.

Bëhet fjalë për vrasjen e rëndë në Pogragjë të Gjilanit, ku babai qëlloi me armë zjarri djalin e tij.

29 vjeçari Bajram Arifi humbi jetën pas të shtënave me armë nga babai i tij Remzi Arifi.

Që nga dita kur edhe ndodhi ngjarja, i dyshuari vazhdon të jetë në arrati.

Togeri policor, Ismet Hashani pati njoftuar për lajmi.net se Policia ka arritur që të gjejë veturën me të cilën i dyshuari ishte larguar – por vetë personi vazhdon të jetë në arrati.

“Policia është në kërkim të të dyshuarit dhe deri në momentin e kapjes nuk mund të thuhen gjëra të tjera.Ne kemi hulumtuar, dhe nga gjetjet që kemi pa aty, nuk kemi parë asnjë rast që personi i dyshimtë, ka pasur të lajmëruar apo ndaj tij ka pasur ndonjë ankesë për dhunë në familje. Megjithatë hetimet do të tregojnë të vërtetën për këtë rast të rëndë”, tha Hashani.

Që nga ajo ditë i dyshuari ende vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e sigurisë e të hetuesisë në vend.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda është deklaruar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Pogragjë të Gjilanit.

Prokuroria bëri të ditur se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç).

“Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar  3 (tri) pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar”,thuhet në njoftim.

Po ashtu u theksua se i dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati.

“Prokurori i shtetit, ka lëshuar Urdhëresën për Autopsi të trupit të pajetë të viktimës.

I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.

Vrasja në fjalë ndodhi dy ditë pas vrasjes së rëndë në Livoc të Ulët, ku i dyshuari Valon Ramushi vrau gruan dhe vëllain e saj./Lajmi.net/