Serwer: Nëse Brukseli vazhdon t’i japë përparësi Asociacionit, pa ofruar asnjë kundërpërfitim për Kosovën, dialogu do të vazhdojë të mos shënojë asnjë përparim

Eksperti amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të varet, ndër të tjera, nga strategjia negociuese e Bashkimit Evropian dhe mënyra se si Brukseli e trajton çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në një intervistë për Kallxo.com, Serwer ka vlerësuar se nëse BE-ja vazhdon t’i japë…

Lajme

15/10/2026 21:47

Eksperti amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të varet, ndër të tjera, nga strategjia negociuese e Bashkimit Evropian dhe mënyra se si Brukseli e trajton çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në një intervistë për Kallxo.com, Serwer ka vlerësuar se nëse BE-ja vazhdon t’i japë përparësi themelimit të Asociacionit, pa ofruar përfitime konkrete në këmbim për Kosovën, procesi i dialogut do të vazhdojë të jetë pa përparim, transmeton lajmi.net.

“Strategjia negociuese e BE-së do të jetë e rëndësishme. Nëse Brukseli vazhdon t’i japë përparësi Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa ofruar asnjë kundërpërfitim për Kosovën, dialogu do të vazhdojë të mos shënojë asnjë përparim”, ka deklaruar Serwer.

Ai ka theksuar se Kosova mund ta pranojë Asociacionin vetëm pasi të adresohen kërcënimet që, sipas tij, lidhen me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Sipas mendimit tim, Asociacioni mund të jetë i pranueshëm për Kosovën vetëm pasi të eliminohen të gjitha kërcënimet ndaj sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, mundësisht përmes njohjes diplomatike nga Serbia”, ka thënë eksperti amerikan.

Serwer ka folur edhe për mundësinë që komunat me shumicë serbe ta institucionalizojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre, duke argumentuar se një gjë e tillë mund të bëhet edhe përmes formave të tjera të organizimit.

“Nëse komunat me shumicë serbe, të cilat tashmë bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, dëshirojnë ta institucionalizojnë këtë bashkëpunim, ato mund ta bëjnë këtë pa asnjë pengesë, duke u organizuar si organizatë joqeveritare, ose, edhe më mirë, brenda kuadrit të Asociacionit ekzistues të Komunave të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet një nga temat kryesore në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kosova dhe Serbia kanë qëndrime të ndryshme lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve vazhdojnë të përballen me sfida politike dhe institucionale./lajmi.net/