Kush është Bashkim Nurboja, që u zgjodh sërish në Bordin e BQK-së me votat e pushtetit?
Bashkim Nurboja, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për deputet nga kjo parti, është zgjedhur sërish anëtar joekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Kuvendi i Kosovës e votoi Nurbojën më 15 tetor, me 56 vota, ndërsa Nora Latifi-Jashari u zgjodh në të njëjtin proces me 61 vota. Deputetët e…
Lajme
Bashkim Nurboja, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për deputet nga kjo parti, është zgjedhur sërish anëtar joekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës e votoi Nurbojën më 15 tetor, me 56 vota, ndërsa Nora Latifi-Jashari u zgjodh në të njëjtin proces me 61 vota. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim dhe u larguan nga salla në shenjë kundërshtimi, raporton lajmi.net
Rizgjedhja e Nurbojës vjen në një kohë kur ndaj tij janë ngritur pikëpyetje lidhur me raportimet për mbështetjen financiare të fushatës së VV-së, përfshirjen në aktivitete politike dhe një vendim për rritjen e kompensimit të anëtarëve të një komiteti ku bënte pjesë edhe vetë.
Donacioni prej 1 mijë eurosh për fushatën e VV-së
Nurboja kishte kontribuar me 1 mijë euro për fushatën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky donacion figuron në deklarimin e pasurisë për vitin 2026, ku si arsye e kontributit ishte shënuar fushata zgjedhore.
Nurboja ishte zgjedhur kryetar i Bordit të BQK-së më 3 shkurt 2023, pasi më parë kishte qenë anëtar i këtij organi drejtues.
Rasti ka rikthyer diskutimet për pavarësinë e institucioneve publike nga partitë politike, veçanërisht për shkak të rolit që BQK-ja ka në sistemin financiar të Kosovës.
Vetëvendosje, ndër vite, ka kritikuar partitë e mëparshme për ndikim politik në institucione dhe për emërime të personave të afërt me pushtetin në pozita publike.
Raportimet për përfshirje në fushatë zgjedhore
Një tjetër çështje që është ngritur në raportimet mediatike ka të bëjë me aktivitetet politike të Nurbojës gjatë kohës kur ushtronte detyrën në BQK.
Sipasa raportimeve thuhet se ai ishte përfshirë në fushatën e zgjedhjeve lokale, duke promovuar bashkëshorten e tij, Mimoza Nurboja, kandidate e VV-së për asamble komunale në Pejë, si dhe kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Taulant Kelmendi.
Këto raportime kanë ngritur pikëpyetje për pajtueshmërinë e veprimeve të tilla me kufizimet ligjore që zbatohen për drejtuesit dhe anëtarët e Bordit të BQK-së.
Ligji për Bankën Qendrore, në nenin 41, paragrafi 2.3, e parasheh pjesëmarrjen aktive në aktivitete politike pas emërimit si një nga bazat për shkarkimin e një anëtari të Bordit.
Megjithatë, vlerësimi nëse në një rast konkret ka pasur shkelje ligjore u takon institucioneve kompetente.
Votimi për rritjen e kompensimit në komitet
Nurboja është përballur edhe me kritika për pjesëmarrjen në një vendim që kishte të bënte me rritjen e kompensimit të anëtarëve të Komitetit të Auditimit të BQK-së.
Sipas raportimeve të mëhershme, më 25 mars 2022, Nurboja dhe Nora Latifi-Jashari kishin votuar pro rritjes së kompensimit për anëtarët e këtij komiteti, pjesë e të cilit ishin edhe vetë.
Kompensimi për anëtarët ishte rritur nga 500 në 750 euro për periudhën tremujore, ndërsa pagesa për ekspertin e jashtëm nga 1 mijë në 1 mijë e 200 euro.
Vendimi ishte miratuar unanimisht nga Bordi. Në një deklarim për Nacionalen, Nurboja kishte konfirmuar se kishte votuar pro propozimit, duke theksuar se nisma ishte paraqitur nga guvernatori i atëhershëm, Fehmi Mehmeti.
E kaluara politike e Nurbojës
Bashkim Nurboja ka pasur angazhime politike në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai kandidoi për kryetar të Pejës, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 garoi për deputet nga kjo parti, duke marrë 2 mijë e 431 vota, por pa siguruar ulëse në Kuvend.
Ai shërbeu gjithashtu si zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal gjatë Qeverisë Kurti I, nga prilli deri në qershor të vitit 2020.
Rizgjedhja e tij në Bordin e BQK-së e rikthen në vëmendje debatin për standardet e emërimeve në institucionet e pavarura dhe për nevojën që vendimmarrja në to të jetë e mbrojtur nga ndikimet partiake.
Për Vetëvendosjen, e cila ndër vite ka kërkuar depolitizimin e institucioneve dhe ka kritikuar emërimet e lidhura me partitë në pushtet, ky rast ngre pikëpyetje për mënyrën se si zbatohen këto parime në vendimet e shumicës parlamentare./Lajmi.net/