Edi Rama thotë se s’do të jap dorëheqje: Qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike

Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” të enjten se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme, të cilat kanë hyrë në ditën e tretë radhazi. “Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, u…

Lajme

15/10/2026 12:35

Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” të enjten se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme, të cilat kanë hyrë në ditën e tretë radhazi.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, u shpreh Rama në një përgjigje me shkrim për “Reuters”.

“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, t’u përgjigjem shqetësimeve legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. E kundërta do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, shprehet kreu i qeverisë.

Rama tha se Shqipëria po e lufton korrupsionin si kurrë më parë dhe aludoi se ndoshta forca brenda dhe jashtë vendin nuk duan suksesin në procesin e anëtarësimit.

“Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç ka rikonfirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë. Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna të devijojë të ardhmen europiane të Shqipërisë.”

Policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët thyen xhama dhe dëmtuan institucione publike dhe prona private në kryeqytet. Protesta e dhunshme e zhvilluar dje, dhe paralajmërimet për të rrethuar Kuvendin sot, bënë që të anulohej seanca plenare.