lajmi.net

Mehmetaj i reagon Fatos Gecit: Koha kur njerëzit dërgohen në burg për opinione ka marrë fund

Lirim Mehmetaj ka reaguar pasi deputeti i pushtetit, Fatos Geci, ka bërë të ditur se është ankuar në polici ndaj tij. Mehmetaj ka thënë se Geci fillimisht kishte dërguar familjarë në zyrën e tij, ndërsa në polici ishte drejtuar vetëm pasi rasti mori përmasa më të mëdha, transmeton lajmi.net. Ai ka thënë se për çështje…

Lajme

14/10/2026 14:16

Lirim Mehmetaj ka reaguar pasi deputeti i pushtetit, Fatos Geci, ka bërë të ditur se është ankuar në polici ndaj tij.

Mehmetaj ka thënë se Geci fillimisht kishte dërguar familjarë në zyrën e tij, ndërsa në polici ishte drejtuar vetëm pasi rasti mori përmasa më të mëdha, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se për çështje të tilla ekzistojnë rrugët ligjore, duke theksuar se nëse Geci konsideron se ka pasur shpifje apo fyerje, mund ta padisë në gjykatë.

“Koha kur njerëzit dërgohen në burg për opinione ka marrë fund”, ka shkruar Mehmetaj.

Postimi i Lirim Mehmetaj:

Deputeti i pushtetit Fatos Geci paska shkruar se është ankuar për mua në polici, duke dashur kështu të tregojë se ai i përcjellë rrugët institucionale për të zgjidhur problemet.

Sikur të ishte kështu, nuk do të dërgonte familjarë në zyrën time, madje edhe po të donin ata do t’i ndalonte ky duke iu treguar se këto punë zgjidhen përmes rrugëve institucionale.

E vërteta është se ai ka shkuar në polici vetëm pasi ngjarja i ka marrë përmasat që i ka marrë, duke treguar kështu se ai nuk e respekton as shtetin që vetë partia e tij e udhëheqë.

Përndryshe, nuk mund ta dërgosh askë në polici për opinione. Në shtete demokratike të paktën jo. Njëjtë siç nuk mund ta dërgojë askush Fatos Gecin në polici për atë që ka thënë ai.

Nëse ai beson se ka elemente të shpifjes, apo fyerjes në postimin tim, mund të më paditë për shpifje e fyerje dhe ballafaqohemi në gjykatë.

Koha kur njerëzit dërgohen në burg për opinione ka marrë fund dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ajo kohë të rikthehet prapë./lajmi.net/