Studiuesi francez: Manipulimi rus kundër Kosovës nisi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë – Dick Marty ishte një idiot i dobishëm
Studiuesi francez Serge Métais ka folur për raportin e Dick Martyt dhe Gjykatën Speciale, duke pretenduar se shërbimet sekrete ruse nisën operacionet e manipulimit kundër Kosovës pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së saj. Në një pjesë të intervistës për gazetën Epoka e Re, Métais ka deklaruar se synimi i këtij manipulimi ishte që shtetet…
Lajme
Studiuesi francez Serge Métais ka folur për raportin e Dick Martyt dhe Gjykatën Speciale, duke pretenduar se shërbimet sekrete ruse nisën operacionet e manipulimit kundër Kosovës pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së saj.
Në një pjesë të intervistës për gazetën Epoka e Re, Métais ka deklaruar se synimi i këtij manipulimi ishte që shtetet evropiane të mbeteshin të përçara për një kohë të gjatë lidhur me njohjen e Kosovës.
“Manipulimi i shërbimeve sekrete ruse nisi pothuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai drejtohej kundër evropianëve, të cilët asokohe ishin thellësisht të përçarë për njohjen e kësaj pavarësie”, ka thënë ai.
Sipas studiuesit francez, kjo strategji mund të shihet si pararendëse e luftës hibride që, sipas tij, Rusia e presidentit Vladimir Putin po zhvillon sot kundër Evropës.
Ai ka pretenduar se përmes një raporti që do të mbante vulën e Këshillit të Evropës synohej që udhëheqësit e shtetit të ri të Kosovës të dënoheshin moralisht.
“Synimi i tij ishte që evropianët të mbeteshin të përçarë për një kohë të gjatë rreth njohjes së Kosovës, përmes hartimit të një raporti që do ta mbante vulën ‘Këshill i Evropës’ dhe do t’i dënonte moralisht përgjegjësit më të lartë të shtetit të ri”, është shprehur Métais.
Ai ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, ky proces nisi zyrtarisht në prill të vitit 2008, kur një parlamentar rus paraqiti një mocion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Métais e ka cilësuar këtë Asamble si një mundësi të rëndësishme për shërbimet sekrete ruse që të zhvillonin operacione dezinformimi.
Çfarë thotë për Dick Martyn?
Duke folur për rolin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, studiuesi francez ka përdorur shprehjen “idiot i dobishëm”, duke sqaruar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se personi është agjent i shërbimeve sekrete.
“Dick Marty ishte ai që, sipas një tradite shprehjeje që zakonisht i atribuohet Leninit, e quajmë ‘idiot i dobishëm’. Është e rëndësishme të kuptohet çfarë nënkupton kjo në rastin konkret”, ka deklaruar ai.
Métais ka bërë dallimin mes një personi që vepron si agjent dhe dikujt që, sipas interpretimit të tij, mund të përdoret për interesa të caktuara pa qenë domosdoshmërisht pjesë e një shërbimi sekret.
“Së pari duhet saktësuar se një ‘idiot i dobishëm’ nuk është ‘agjent’”, ka theksuar studiuesi francez.
Ai ka shpjeguar se një agjent i shërbimeve sekrete mund të jetë nën presion ose i detyruar të zbatojë urdhra, për shkak të rrethanave apo materialeve komprometuese që mund të përdoren kundër tij.
“Ato mund të kenë mjete ta shtinë ‘të këndojë’ (për shembull, duke zbuluar çështje komprometuese që lidhen me të)”, ka thënë Métais, duke iu referuar mënyrave të mundshme të presionit nga shërbimet sekrete.
Serge Métais, i lindur më 1952, është ekonomist, studiues i historisë dhe publicist francez. Ai njihet për studimet mbi sistemet komuniste të Evropës Lindore, historinë e shqiptarëve dhe zhvillimet gjeopolitike në hapësirën postsovjetike. Në vitin 2006, shtëpia botuese franceze Fayard botoi veprën e tij Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Historia e shqiptarëve: Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës).