Ndalohet për 48 orë një person në Prishtinë, dyshohet për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet N.A., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë pas hetimeve disamujore, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me…

Lajme

13/10/2026 16:20

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet N.A., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë pas hetimeve disamujore, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Rasti lidhet me dyshimet se personi i ndaluar, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka zbuluar informacione zyrtare lidhur me prona të caktuara te persona të paautorizuar, në këmbim të ryshfetit.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, veprimet e dyshuara kanë pasur për qëllim tjetërsimin e pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (DHKEK), në kuadër të Policisë së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

Personi i ndaluar dyshohet për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrjes së ryshfetit dhe zbulimit të fshehtësisë zyrtare, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.