Komisioni Evropian kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Shkojnë kundër obligimeve ndërkombëtare të Kosovës
Komisioni Evropian ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke vlerësuar se ndryshimet e propozuara bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Çështja është ngritur gjatë një komunikimi me zëdhënësin e Komisionit Evropian, Christian Wigand,…
Lajme
Komisioni Evropian ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke vlerësuar se ndryshimet e propozuara bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
Çështja është ngritur gjatë një komunikimi me zëdhënësin e Komisionit Evropian, Christian Wigand, ku gazetari Ekrem Krasniqi ka parashtruar një pyetje lidhur me përmbajtjen e projektligjit dhe pasojat që mund të ketë ai për obligimet e Kosovës, transmeton lajmi.net.
Në përgjigjen e tij, Wigand ka theksuar se ndryshimi i legjislacionit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara duhet të jetë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të vendit.
“Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara shkon kundër obligimeve ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”, është shprehur zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Gjatë këtij komunikimi është ngritur edhe çështja e rolit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në raport me Dhomat e Specializuara, të cilat funksionojnë në Hagë. Megjithatë, në këtë pjesë të pyetjes, Wigand nuk dha një përgjigje konkrete.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar lidhet me një çështje të ndjeshme juridike dhe politike në Kosovë, për shkak të marrëdhënies mes legjislacionit vendor dhe obligimeve ndërkombëtare që vendi ka marrë përsipër.
Qëndrimi i shprehur nga Komisioni Evropian vë në pah rëndësinë që ndryshimet ligjore të shqyrtohen në raport me këto obligime, ndërsa çështja e rolit të Gjykatës Kushtetuese mbetet një nga aspektet e ngritura gjatë diskutimit./lajmi.net/