Prokuroria thotë se u sekuestruan 3 pushka gjuetie, Policia thotë se sekuestroi një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri dhe një pistoletë
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda është deklaruar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Pogragjë të Gjilanit. Prokuroria bëri të ditur se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda është deklaruar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Pogragjë të Gjilanit.
Prokuroria bëri të ditur se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç).
“Më 11.10.2026, rreth orës 19:20 është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç)”, thuhet në njoftim.
“Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar tri pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar”, theksohet tutje.
Lidhur me këtë është cilësuar edhe vepra “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”- njofton Prokuroria Themelore në Gjilan.
Tutje, potencohet se i dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati, derisa Prokurori i shtetit, “ka lëshuar urdhëresën për autopsi të trupit të pajetë të viktimës”.Në njoftim theksohet se i dyshuari dhe viktima nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje.
Kurse në raportin 24 orësh të policisë u tha se u sekuestruan një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë pa kafkë, 68 fishekë dhe 4 gëzhoja.
“Gjilan / 11.10.2026 – 19:32. Raportohet se i dyshuari mashkull Kosovar, dyshohet me armë zjarri ka qëlluar viktimën mashkull Kosovar. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë (pa kafkë), 68 fisheke dhe 4 gëzhoja. I dyshuari gjendet në kërkim policor. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”/Lajmi.net/