I dyshuari për vrasjen e djalit në Gjilan nga dje po kërkohet nga Policia, familjari i tij e mohon: Ai ka qenë gjuetarë, Policia e njeh

Një vrasje e rëndë ka ndodhur dje në Pogragjë të Gjilanit. Djali i moshës 29 vjeçare dyshohet të jetë vrarë nga babai i tij i moshës 53 vjeçare, shkruan lajmi.net. Këtë e ka konfirmuar dje për lajmi.net zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit, Valon Osmani. Ai ka thënë se sapo kanë marrë informacion për…

Lajme

12/10/2026 13:07

Një vrasje e rëndë ka ndodhur dje në Pogragjë të Gjilanit.

Djali i moshës 29 vjeçare dyshohet të jetë vrarë nga babai i tij i moshës 53 vjeçare, shkruan lajmi.net.

Këtë e ka konfirmuar dje për lajmi.net zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Ai ka thënë se sapo kanë marrë informacion për të shtëna me armë zjarri, në vendngjarje kanë dal njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit.

Osmani ka thënë se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka humbur jetën një person i moshës 29 vjeçare.

“Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor. Lidhur me rastin një person i dyshuar mashkull kosovar i njohur për Policinë është vënë në kërkim policor, pasi dyshohet se pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Osmani për lajmi.net.

Në lidhje me rastin, sot detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Prokuroria bëri të ditur se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç).

“Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar  3 (tri) pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar”,thuhet në njoftim.

Po ashtu u theksua se i dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati.

“Prokurori i shtetit, ka lëshuar Urdhëresën për Autopsi të trupit të pajetë të viktimës.

I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.

Në lidhje me këtë rast, sot për lajmi.net ka folur një familjar i të dyshuarit dhe viktimës.

Ai ka thënë se i dyshuari nuk po kërkohet nga Policia dhe se është gjuetar, ndërkaq ka thënë se mediat po dezinformojnë.

“Ju lus, të gjithë mediat që jeni edhe portalet që po shkruani në Facebook, RTK e tjera, ato të gjitha janë të rrejshme. Ju lutna mos bëni dezinformata palidhje. Ato që dje janë shkruar të gjitha janë të rrejshme. Unë deri në ora 2 mesnate, i kam lexu kanë qenë të rrejshme. ai nuk kërkohet nga Policia, Policia e njohin ai ka qenë gjuetar”, ka thënë ai. /Lajmi.net/

Video: