52 raste të reja të trajtuara për një javë nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka trajtuar 52 raste të reja gjatë periudhës 2–9 tetor 2026, në nivel të Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave të publikuara nga kjo zyrë, shumica e rasteve të paraqitura kanë të bëjnë me dhunën në familje. Nga gjithsej 52 rastet e reja, 43 janë raste të dhunës…

Lajme

12/10/2026 12:34

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka trajtuar 52 raste të reja gjatë periudhës 2–9 tetor 2026, në nivel të Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të publikuara nga kjo zyrë, shumica e rasteve të paraqitura kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Nga gjithsej 52 rastet e reja, 43 janë raste të dhunës në familje, një rast i trafikimit, dy raste të dhunës seksuale, një rast i sulmit seksual, dy raste të vrasjes dhe tri raste të tjera.

Gjatë kësaj periudhe, janë miratuar edhe kërkesa për urdhra mbrojtës. Pesë kërkesa për urdhër mbrojtjeje janë aprovuar nga gjykata, gjashtë kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente dhe katër kërkesa për urdhër mbrojtjeje të përkohshme emergjente.

Ndërkohë, nëntë kërkesa për urdhër mbrojtjeje janë ende në proces, ndërsa gjykata ka refuzuar dy kërkesa të tilla.

Përveç trajtimit të rasteve, Mbrojtësit e Viktimave kanë marrë pjesë në 91 seanca gjyqësore dhe 11 seanca në prokurori. Gjatë kësaj periudhe janë ofruar edhe 34 këshilla juridike.

Sipas raportit, janë shqiptuar pesë aktgjykime dënuese dhe një aktgjykim lirues, ndërsa janë paraqitur dy ankesa në shkallë të dytë dhe nëntë parashtresa.

Gjithashtu, janë paraqitur dy kërkesa për kompensim pranë komisionit të Ministrisë së Drejtësisë, është përfaqësuar një rast në Polici, si dhe janë bërë tri referime në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe një referim në Qendrën për Punë Sociale.

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave ofron mbështetje dhe përfaqësim për viktimat gjatë procedurave institucionale dhe gjyqësore.