Avdullah Hoti rendit sfidat e Presidentes së re: Nga raportet me SHBA-në te dialogu me Serbinë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka renditur një sërë sfidash politike dhe institucionale me të cilat, sipas tij, do të përballet Presidentja e re e Kosovës. Përmes një postimi, Hoti ka theksuar se, ndonëse janë shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, vendi përballet me zhvillime të rëndësishme, ku roli i Presidentes do të…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka renditur një sërë sfidash politike dhe institucionale me të cilat, sipas tij, do të përballet Presidentja e re e Kosovës.
Përmes një postimi, Hoti ka theksuar se, ndonëse janë shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, vendi përballet me zhvillime të rëndësishme, ku roli i Presidentes do të jetë vendimtar për drejtimin politik dhe institucional të Kosovës.
Ndër sfidat kryesore, Hoti ka përmendur procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ngecjen e procesit të njohjeve dhe anëtarësimeve ndërkombëtare, si dhe nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët kryesorë të Kosovës.
Sipas tij, Presidentja duhet t’i marrë përsipër me seriozitet raportet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoti ka kërkuar gjithashtu rinisjen e dialogut strategjik me SHBA-në dhe zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit të vitit 2020, duke i cilësuar këta hapa si të rëndësishëm për forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Sa i përket integrimit evropian, deputeti i LDK-së ka vlerësuar se procesi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian është penguar nga kushtëzimet që lidhen me dialogun me Serbinë, ndërsa ka kritikuar edhe, siç e ka quajtur ai, neglizhimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Hoti ka shprehur kritika ndaj qasjes së Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke pretenduar se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër e kanë vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme. Ai ka rikujtuar parimet që, sipas tij, duhet ta udhëheqin procesin, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke.
Hoti ka ngritur shqetësime edhe për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke pretenduar se zhvillimet e fundit janë të motivuara politikisht. Ai ka kritikuar gjithashtu veprimet e Qeverisë në raport me organet e drejtësisë dhe ka kërkuar nga Presidentja që të mbrojë pavarësinë e tyre nga ndërhyrjet politike.
Një tjetër çështje e ngritur nga deputeti i LDK-së është mbrojtja e rendit kushtetues. Sipas tij, Presidentja duhet të analizojë me kujdes ligjet e miratuara në Kuvend dhe të përdorë kompetencat e saj kushtetuese kur vlerëson se ka shkelje të mundshme.
Në fund, Hoti ka kritikuar edhe shërbimin diplomatik të Kosovës, duke përmendur emërimet joprofesionale, mungesën e rezultateve të rëndësishme diplomatike dhe dështimet në diplomacinë ekonomike e kulturore.
Ai e ka përmbyllur postimin me një urim për Presidenten e re, duke i dëshiruar sukses në përballimin e sfidave me të cilat, sipas tij, përballet Republika e Kosovës. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: