Tahiri kritikon Qeverinë: Pa vizion zhvillimor, po synon ta zëvendësojë ngërçin me rrëmujë legjislative

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë për mungesë të vizionit zhvillimor dhe për planin legjislativ, të cilin e ka cilësuar si të nxituar dhe joserioz. Përmes një postimi, Tahiri ka deklaruar se Qeveria po synon të trajtojë rreth 24 ligje brenda një tremujori, me një ritëm prej dy ligjesh në javë, pa bërë…

Lajme

11/10/2026 19:28

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë për mungesë të vizionit zhvillimor dhe për planin legjislativ, të cilin e ka cilësuar si të nxituar dhe joserioz.

Përmes një postimi, Tahiri ka deklaruar se Qeveria po synon të trajtojë rreth 24 ligje brenda një tremujori, me një ritëm prej dy ligjesh në javë, pa bërë vlerësime të mirëfillta të ndikimit të tyre.

Sipas tij, procesi legjislativ kërkon kohë dhe përfshin hartimin e projektligjeve, konsultimet publike, koordinimin ndërsektorial, shqyrtimin e komenteve dhe amendamentimin, ndërsa një proces i tillë mund të zgjasë mesatarisht rreth 12 javë, varësisht nga kompleksiteti.

Tahiri ka vlerësuar se përmbushja e kësaj agjende do të kërkonte zhvillimin e dhjetëra proceseve legjislative paralelisht, duke vënë në ngarkesë ministritë dhe mekanizmat e koordinimit institucional.

Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për mënyrën se si po synon t’i kompensojë dy vitet e kaluara me ngërçe institucionale.

“Dështimin e dy viteve me ngërçe institucionale, kjo qeveri duket se synon ta zëvendësojë me një rrëmujë totale legjislative”, ka shkruar Tahiri.

Në fund, ai ka theksuar se numri i ligjeve nuk mund ta zëvendësojë mungesën e vizionit, ndërsa nxitimi nuk garanton zhvillim.

Tahiri e ka cilësuar planin legjislativ të Qeverisë si “qesharak”, duke e akuzuar atë për mungesë idesh dhe vizioni zhvillimor. /Lajmi.net/