Kurti viziton familjet e Salih Mëziut dhe Idriz Rrecajt: Familjet kanë marrë përgjigje, por kanë nevojë për drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt, të cilët ishin pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga forcat serbe në prill të vitit 1999. Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se mbetjet mortore të…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt, të cilët ishin pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga forcat serbe në prill të vitit 1999.
Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se mbetjet mortore të tyre u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok, ndërsa identifikimi u bë javë më parë përmes analizave të ADN-së.
Ai theksoi se familjet e Mëziut dhe Rrecajt, njësoj si familja e Adem Beqirit, i cili u varros më 3 tetor, tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, por ende kërkojnë drejtësi.
Kurti rikujtoi se mbi 1 mijë e 500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, duke theksuar dhimbjen dhe ankthin e familjeve që presin të mësojnë për fatin e tyre.
Ai kërkoi trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke e akuzuar atë për fshehje dhe mohim të krimeve të luftës, si dhe për mbrojtjen e glorifikimin e kriminelëve.
Sipas Kurtit, presioni ndërkombëtar është i domosdoshëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë dhe për t’i hapur rrugë drejtësisë. /Lajmi.net/