Hapja e “Radio Policisë”, Kusari shpreh shqetësime për ndikimin politik dhe koston financiare

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime lidhur me planet për hapjen e një radioje nga Policia e Kosovës, duke paralajmëruar për rrezikun e ndikimit politik, propagandës shtetërore dhe kostos financiare të këtij projekti. Përmes një reagimi publik, Kusari ka bërë të ditur se Policia e Kosovës i ka konfirmuar se ka nisur përgatitjet…

Lajme

11/10/2026 14:02

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime lidhur me planet për hapjen e një radioje nga Policia e Kosovës, duke paralajmëruar për rrezikun e ndikimit politik, propagandës shtetërore dhe kostos financiare të këtij projekti.

Përmes një reagimi publik, Kusari ka bërë të ditur se Policia e Kosovës i ka konfirmuar se ka nisur përgatitjet për hapjen e radios. Ajo ka ngritur dyshime se kërkesa për transmetim eksperimental mund të jetë pjesë e agjendës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

“Po e ngre këtë shqetësim, me shumë kujdes, meqë nuk e kam ende pasqyrën e plotë të situatës. Shpresoj që mediat do të më ndihmojnë ta monitoroj këtë çështje”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka rikujtuar se KPM-ja më 10 korrik kishte vënë në konsultim publik Rregulloren për Transmetime Eksperimentale, të cilën e kishte miratuar më 7 gusht. Sipas Kusarit, gjatë këtij procesi komentet e palëve të interesuara nuk janë marrë parasysh sa duhet, ndërsa rregulloren e ka cilësuar të paqartë dhe të cenueshme ndaj keqpërdorimeve.

“Rregullorja për Transmetime Eksperimentale është njëra prej rregulloreve më të dobëta që kam parë. Ajo nuk e ka një qëllim të qartë dhe mund të keqpërdoret lehtësisht nga kushdo që siguron licencë për transmetime eksperimentale”, ka deklaruar ajo.

Kusari ka thënë se më 9 tetor KPM-ja publikoi agjendën e mbledhjes, ku në pikën e nëntë ishte përfshirë një kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental. Sipas saj, disa burime e kanë informuar se kërkesa mund të jetë paraqitur nga Policia e Kosovës.

Juristja e mediave ka kërkuar që, në rast se lejohet transmetimi, institucionet të sqarojnë qëllimin e radios, mënyrën e menaxhimit dhe përgjegjësinë editoriale. Ajo ka ngritur pyetje edhe për personat që do ta drejtojnë radion dhe redaksinë, si dhe për përgjegjësinë ligjore për përmbajtjen e transmetuar.

Kusari ka pretenduar se radioja mund të përdoret për qëllime politike, duke deklaruar se, sipas saj, “Radio Policia do të bëhet një mjet propagandues i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse sektori i sigurisë menaxhohet nga VV-ja”.

Ajo ka vlerësuar se komunikimi publik i Policisë mund të realizohet përmes bashkëpunimit me Radio Televizionin e Kosovës dhe Radio Kosovën, pa pasur nevojë për krijimin e një radioje të veçantë.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhet me koston financiare. Sipas një analize që thotë se e ka bërë në bashkëpunim me disa njohës të fushës, hapja e radios mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 500 mijë euro.

Në reagimin e saj, Kusari i është referuar edhe parimeve të Këshillit të Evropës dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke ngritur shqetësime për pavarësinë e mediave dhe mundësinë e ndikimit të pushtetit në përmbajtjen e një mediumi të financuar nga shteti.

Në fund, ajo u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve që ta hulumtojnë këtë çështje dhe të kërkojnë sqarime nga KPM-ja dhe Policia e Kosovës.

Pretendimet për qëllimin e radios, ndikimin e mundshëm politik dhe koston financiare janë qëndrime të shprehura nga Kusari dhe mbeten për t’u sqaruar nga institucionet përkatëse. /Lajmi.net/