Haxhiu reagon pas shfaqjes së Radoiçiqit në tubimin e partisë së Vuçiqit: Duhet të dorëzohet në Kosovë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të pamjeve në mediat serbe, ku Milan Radoiçiqi shfaqet në një tubim elektoral të partisë në pushtet në Serbi, në Kragujevc, përkrah djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Haxhiu ka kritikuar autoritetet serbe, duke pretenduar se Radoiçiqi, të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të pamjeve në mediat serbe, ku Milan Radoiçiqi shfaqet në një tubim elektoral të partisë në pushtet në Serbi, në Kragujevc, përkrah djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Haxhiu ka kritikuar autoritetet serbe, duke pretenduar se Radoiçiqi, të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë organizator të sulmit në Banjskë, vazhdon të qëndrojë i lirë dhe të shfaqet në rrethet e pushtetit në Serbi, raporton lajmi.net
Ajo ka rikujtuar sulmin e 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke theksuar se përgjegjësit ende nuk janë përballur me drejtësinë në Kosovë.
Ky është postimi i plotë i Haxhiut:
Pamjet e publikuara nga mediat serbe, ku Milan Radoiçiq shfaqet përkrah djalit të Aleksandar Vuçiqit në një tubim elektoral të partisë së tij në Kragujevc, dëshmojnë se organizatori i sulmit terrorist në Banjskë jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por pritet e nderohet në rrethet e pushtetit.
Më 24 shtator 2023, grupi terrorist i armatosur rëndë, në krye me Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Republikës së Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Sulmi synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës sonë. Institucionet e Kosovës e zmbrapsën atë sulm, por përgjegjësit e tij ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Njeriu që mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi dhe që kërkohet ndërkombëtarisht, në vend që t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, shfaqet lirshëm në tubimin e partisë në pushtet në Serbi. Kjo nuk mund të trajtohet thjesht si mungesë e bashkëpunimit me drejtësinë. Prania e tij në rrethet e afërta me pushtetin ngre pyetje të drejtpërdrejta për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, të cilat duhet t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë, ku duhet të përgjigjet për sulmin që organizoi.
Një sjellje e tillë kërkon reagim të qartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe të personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë autoriteteve të Kosovës duhet të shoqërohet me trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e tyre. Çdo tolerim i mëtejshëm përçon mesazhin se një sulm terrorist mund të organizohet, të marrë jetë njerëzish dhe të mbetet pa ndëshkim, për sa kohë autorët gëzojnë mbrojtjen e pushtetit.
Për Kosovën, drejtësia për Afrim Bunjakun dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit në Banjskë mbeten detyrim i patjetërsueshëm. Vendi i tyre është para gjykatave të Republikës së Kosovës. As koha e as afërsia me pushtetin në Beograd nuk do t’i amnistojnë ata që e përgatitën dhe e kryen sulmin./Lajmi.net/