Kriza politike la Kosovën prapa në reforma, rrezikohen mbi 100 milionë euro
Pas zgjedhjes së presidentes së re dhe funksionalizimit të të gjitha institucioneve, Kuvendit e Qeverisë po u kërkohet që tani të përqendrohen në përmbushjen e reformave për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian. Kosova ka më pak se tre muaj kohë që t’i përfundojë reformat e nevojshme, pasi në të kundërtën rrezikon t’i humbasë mbi…
Lajme
Pas zgjedhjes së presidentes së re dhe funksionalizimit të të gjitha institucioneve, Kuvendit e Qeverisë po u kërkohet që tani të përqendrohen në përmbushjen e reformave për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian. Kosova ka më pak se tre muaj kohë që t’i përfundojë reformat e nevojshme, pasi në të kundërtën rrezikon t’i humbasë mbi 100 milionë euro.
Njohësit e fushës thonë se kriza politike e mungesa e institucioneve ka shkaktuar ngecje në këtë drejtim, andaj shprehen skeptik nëse Kosova do t’i përfitojë këto fonde.
“Këtu kemi të bëjmë me 27 hapa reformues dhe ato vlejnë në total diku 166 milionë euro. Një pjesë e reformave janë përfunduar, por pasi ka pasur kriza politike, shumë ligje nuk kanë kaluar, andaj kriza politike na ka kushtuar financiarisht me humbje nga agjenda e reformave”, tha Besar Gërgi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.
“Pakoja e ligjeve nuk është e finalizuar. Ky është proces i cili nuk shkon shpejt. Është një procedurë që e kërkon kohën e vet dhe Kosova është mbrapa. Nëse nuk rinegociohet dedlini i dhjetorit, rreziku është që të humbasin mjetet”, tha Ardian Zeqiri, njohës i politikës.
Tutje njohësit e fushës vlerësojnë se institucionet duhet të punojnë intensivisht e të përcaktojnë prioritetet në mënyrë që të zbatohet agjenda e reformave.
Deputetët e Kosovës gjatë kësaj jave miratuan disa prej ligjeve të cilat janë si parakusht për fondet e BE-së.