Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore mbi 3 muaj pa paga e në pritje për vendim, Gjykata Supreme: Lënda është në shqyrtim
Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, e cila pritet të mbahet para objektit të Gjykatës, për shkak të bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes dhe pamundësisë për ekzekutimin e pagave. Përmes një sqarimi për opinionin publik, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se lënda…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, e cila pritet të mbahet para objektit të Gjykatës, për shkak të bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes dhe pamundësisë për ekzekutimin e pagave.
Përmes një sqarimi për opinionin publik, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se lënda që lidhet me këtë kontest gjyqësor është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026, dhe aktualisht është në shqyrtim.
Përmes një komunikate, Gjykata ka theksuar se i kupton shqetësimet e punëtorëve të NPB-së, të cilët, sipas informacioneve të publikuara, po përballen me vonesa në marrjen e pagave si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.
Megjithatë, nga ky institucion kanë bërë të ditur se shqyrtimi i lëndëve gjyqësore zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, ndërsa përcaktimi i prioriteteve bëhet duke garantuar trajtim të paanshëm dhe të barabartë për të gjitha palët.
Në sqarimin e saj, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se nuk mund të paragjykojë se kur do të përfundojë shqyrtimi i kësaj lënde.
Sipas saj, çdo vendim do të merret në bazë të ligjit dhe rrethanave konkrete të çështjes, duke respektuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.
Gjykata Supreme ka theksuar gjithashtu se respekton të drejtën e qytetarëve dhe punëtorëve për të shprehur shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin.
Në të njëjtën kohë, ka rikujtuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes.
Lajmi.net javë më parë ka raportuar për problemin e shfaqur tash e sa muaj mbi mos-pagesat e punëtorëve në këtë ndërmarrje./Lajmi.net/