Deputeti i hodhi ujë zv/kryeministres, të tjerët hodhën shishe drejt Ramës -Gjithë çfarë ndodhi në Kuvend për Territorialen
Ashtu siç edhe pritej, momenti para votimit të Ligjit të Hartës së re Territoriale në Shqipëri, u shoqërua me tensione të opozitës kundrejt protagonistëve të mazhorancës. Në shënjestër ishin kryeministri Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, që munguan gjatë diskutimeve dhe mbërritën në momentin kur duhej hedhur vullneti me votë. Pak sekonda para votimit të reformës…
Lajme
Ashtu siç edhe pritej, momenti para votimit të Ligjit të Hartës së re Territoriale në Shqipëri, u shoqërua me tensione të opozitës kundrejt protagonistëve të mazhorancës.
Pak sekonda para votimit të reformës së re administrativo-territoriale, në sallën e Kuvendit u shfaq ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në një moment kur tensionet mes mazhorancës dhe opozitës kishin arritur kulmin.

Prania e saj u shoqërua me përplasje në sallë, ku deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, hodhi ujë në drejtim të Ballukut. Ndërkohë, deputetë të tjerë të opozitës qëlluan me shishe në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa në seancë u hodhën edhe vezë.

Incidentet ndodhën në minutat e fundit të një seance maratonë, që zgjati rreth 14 orë dhe u shoqërua me debate të ashpra.

Opozita kundërshtoi projektligjin, duke kërkuar tërheqjen e tij dhe duke akuzuar mazhorancën se ndryshimet në ndarjen administrativo-territoriale ishin hartuar pa konsultim me qytetarët. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi që çështja t’i nënshtrohej referendumit.

Pavarësisht tensioneve dhe incidenteve në sallë, Kuvendi e miratoi reformën pak pas mesnate me 85 vota pro, duke i hapur rrugën organizimit të ri territorial të vendit me 46 bashki.

