Tahiri për ndryshimet në Ligjin për Specialen: Arritje e madhe, garantim për drejtësi – do t’i qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka cilësuar si arritje të madhe miratimin e Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke kërkuar që vendimi i Kuvendit të Kosovës të respektohet dhe ligji të zbatohet plotësisht. Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se ky vendim është i rëndësishëm për…

Lajme

09/10/2026 11:32

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka cilësuar si arritje të madhe miratimin e Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke kërkuar që vendimi i Kuvendit të Kosovës të respektohet dhe ligji të zbatohet plotësisht.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se ky vendim është i rëndësishëm për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për garantimin e drejtësisë, transmeton lajmi,net.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të mbështesin zbatimin e çdo neni të ligjit, pa përjashtime dhe pa paqartësi.

Tahiri ka theksuar se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ.

Sipas tij, ligjet e miratuara nga Kuvendi nuk janë rekomandime, por detyrime që duhet të zbatohen.

Ai ka deklaruar se nuk duhet të ketë hezitim apo tërheqje sa i përket zbatimit të këtij ligji, duke shtuar se PDK-ja do të qëndrojë e vendosur deri në zbatimin e tij të plotë.

“Ky ligj është miratuar dhe ne do të qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë i Tahirit:

Miratimi i Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është një arritje e madhe për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për garantimin e drejtësisë. Ky është një vendim i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë duhet të respektohet.

Tani është koha që të gjithë, institucionet dhe qytetarët, t’i qëndrojmë fuqishëm prapa çdo neni të këtij ligji dhe të kërkojmë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivoke.

Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Gjykata Speciale është organ i krijuar mbi bazën e rendit juridik të Republikës së Kosovës, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ. Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen.

Prandaj, nuk ka vend as për hezitim, as për tërheqje dhe as për dyshime. Kushdo që sot mendon se ky ligj mund të shpërfillet, me kohë do të bindet për të kundërtën. Ky ligj është miratuar dhe ne do të qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë./lajmi.net/