Shefi i ri i EULEX-it takon Listën Serbe, Elek ankohet për shtypje të serbëve
Shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe ekipin e tij, me të cilët ka diskutuar çështje që lidhen me sundimin e ligjit në Kosovë. Lopes ka thënë se gjatë takimit ka rikonfirmuar përkushtimin e EULEX-it për sigurinë dhe të drejtat e njeriut…
Lajme
Shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe ekipin e tij, me të cilët ka diskutuar çështje që lidhen me sundimin e ligjit në Kosovë.
Lopes ka thënë se gjatë takimit ka rikonfirmuar përkushtimin e EULEX-it për sigurinë dhe të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Sot zhvillova një takim njohës me kryetarin e “Srpska Lista”-s, Zlatan Elek, dhe ekipin e tij, me të cilët diskutova çështje që lidhen me sundimin e ligjit. Në takim, rikonfirmova përkushtimin e vazhdueshëm të Misionit për të mbështetur sigurinë dhe të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka shkruar Lopes.
Ndërkohë, Lista Serbe ka thënë se gjatë takimit ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me atë që e cilëson si “dhunë institucionale ndaj popullit serb”.
Sipas njoftimit të kësaj partie, përfaqësuesit e saj kanë pretenduar se ka presione dhe veprime të kundërligjshme ndaj përfaqësuesve serbë dhe organeve komunale.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan veçanërisht dhunën e vazhdueshme institucionale ndaj popullit serb, si dhe presionet dhe veprimet e kundërligjshme ndaj përfaqësuesve serbë dhe organeve komunale, duke theksuar se kjo cenon më tej sigurinë juridike, funksionimin e vetëqeverisjeve lokale dhe besimin e qytetarëve në institucione”, thuhet në njoftim.
Lista Serbe ka pretenduar gjithashtu se shkelja e të drejtave të serbëve, mosrespektimi i ligjit dhe keqpërdorimi i mekanizmave institucionalë, sipas saj, janë bërë dukuri e rregullt.
“Gjatë takimit u theksua se shkelja e të drejtave të serbëve, mosrespektimi i ligjit dhe keqpërdorimi i mekanizmave institucionalë janë bërë dukuri e rregullt, ndërsa mungesa e një reagimi adekuat nga institucionet përgjegjëse inkurajon më tej një sjellje të tillë dhe thellon ndjenjën e pasigurisë te populli ynë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Takimi vjen në kuadër të kontakteve të shefit të ri të EULEX-it me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë në Kosovë. /Lajmi.net/