Arrestohet Valon Lluka, ndalohet për 48 orë

Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, ndërsa arrestimin për Sinjalin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur për Sinjalin se Lluka është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për…

Lajme

07/10/2026 17:02

Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, ndërsa arrestimin për Sinjalin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur për Sinjalin se Lluka është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, si dhe veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, deklaroi Shala për Sinjalin.