Oda Amerikane diskuton me Maqedoncin për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes
Kosova po bën hapa të shpejtë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, derisa bashkëpunimi i mëtejmë ndërmjet sektorit publik dhe privat, me përkrahjen e partnerëve strategjikë, i bën këta hapa më të qëndrueshëm. Kjo u tha gjatë një takimi ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci. Në takim…
Lajme
Kosova po bën hapa të shpejtë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, derisa bashkëpunimi i mëtejmë ndërmjet sektorit publik dhe privat, me përkrahjen e partnerëve strategjikë, i bën këta hapa më të qëndrueshëm.
Kjo u tha gjatë një takimi ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
“Duke ndarë vizionin e tij për zhvillimin e aftësive industriale në fushën e mbrojtjes, Ministri Maqedonci foli për aktivitetet e ndërmarra për hartimin e legjislacionit për industrinë e mbrojtjes. Ai falënderoi Odën Ekonomike Amerikane për partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes përgjatë dy viteve të fundit, përfshirë edhe organizimin e garës së parë për drona ‘Sharkathon’, të mbajtur vitin e kaluar. Ai foli edhe për disa ndërmarrje të reja të krijuara të cilat po sjellin produktet e para të prodhuara në Kosovë, si dëshmi e përpjekjeve të viteve të fundit, por edhe potencialit për inovacion teknologjik në këtë fushë”, u tha në njoftimin e Odës.
Maqedonci në këtë takim foli edhe për rëndësinë e përpjekjeve të strukturuara me institucione të tjera, si Ministrinë e Arsimit dhe ofruesit e shërbimeve arsimore, për zhvillimin e kuadrove të punës, të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.