Zulfaj: Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, mund të humbim afër 90 milionë euro nga Plani i Rritjes

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se Kosova mund të humbasë afër 90 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse vendi shkon sërish në zgjedhje. Ai ka thënë se 131.4 milionë euro nga 22 hapat e Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar deri më 31 dhjetor të këtij viti. Sipas tij,…

Lajme

06/10/2026 21:20

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se Kosova mund të humbasë afër 90 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse vendi shkon sërish në zgjedhje.

Ai ka thënë se 131.4 milionë euro nga 22 hapat e Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Sipas tij, mungesa e një Kuvendi funksional dhe e një Qeverie me kapacitet të plotë mund të rrezikojë zbatimin e këtyre reformave dhe përfitimin e fondeve.

“Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, do të humbasim sërish fonde nga Plani i Rritjes. 131,4 milionë euro nga 22 hapa të Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti. Pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri me kapacitet të plotë, mund të humbim afër 90 milionë euro”- ka shkruar Zulfaj.

Ai ka përmendur edhe projektligjet që, sipas tij, kishin ngecur në qershor për shkak të bllokadës në Kuvend dhe për të cilat pritet të humben mbi 40 milionë euro.

Zulfaj ka thënë se këto projektligje janë miratuar sërish në Qeveri, janë dërguar në Kuvend dhe dje kanë kaluar në lexim të parë.

“Nëse Presidenti nuk zgjedhet sot, edhe këto projektligje nuk shkojnë në lexim të dytë dhe duhet të procedohen nga fillimi, në Qeveri dhe në Kuvend”- ka deklaruar ai.

Në mesin e tyre, Zulfaj ka përmendur edhe ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për të cilin thotë se do t’i mundësonte Kosovës të bëhej pjesë e SEPA-s.

Sipas tij, ky ligj ishte miratuar nga Kuvendi në fund të vitit 2024, por ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja.

“Çdo vit jashtë SEPA-s u kushton qytetarëve dhe bizneseve tona rreth 55 milionë euro”, ka shkruar Zulfaj.

Zulfaj ka kritikuar opozitën për bllokadën institucionale.

“Bllokada është zgjedhje. Opozita ka zgjedhur të bllokojë, dhe koston po ua faturon qytetarëve”- ka shkruar ai.