Fetahu i kundërpërgjigjet Kurtit: Projektligji për Dhomat e Specializuara mund të votohet sot – tregon mundësitë ligjore
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, ka reaguar lidhur me deklaratën e sotme të kryeministrit Albin Kurti për procedurën e shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Fetahu ka vlerësuar se pretendimi se Projektligji nuk mund të shqyrtohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë…
Lajme
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, ka reaguar lidhur me deklaratën e sotme të kryeministrit Albin Kurti për procedurën e shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Fetahu ka vlerësuar se pretendimi se Projektligji nuk mund të shqyrtohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë është “tërësisht i paqëndrueshëm juridikisht” dhe, sipas tij, devijon nga konstatimet e Gjykatës Kushtetuese në Aktgjykimin e 9 janarit 2026.
Sipas tij, afati prej 72 orësh buron nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton procedurën e përshpejtuar, ndërsa neni 123 i Rregullores mundëson shmangien nga afatet procedurale.
“Me propozim të së paku gjashtë deputetëve dhe me votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm, Kuvendi mund të vendosë për shmangie nga afatet procedurale”, ka shkruar Fetahu.
Ai ka kundërshtuar edhe referimin e Kurtit në ligjet e miratuara më 5 dhjetor 2024, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk i kishte shpallur ato jokushtetuese për shkak të moszbatimit të procedurës së përshpejtuar.
Fetahu, i cili thotë se ka qenë avokat i autorizuar i PDK-së në procedurat kushtetuese ndaj atyre ligjeve, ka theksuar se Gjykata kishte kontestuar mënyrën e zbatimit të nenit 123, pasi dy leximet ishin zhvilluar brenda një kohe shumë të shkurtër dhe deputetëve e komisioneve u ishte pamundësuar shqyrtimi efektiv.
Duke e krahasuar atë situatë me rastin aktual, Fetahu ka thënë se materialet e Projektligjit për Dhomat e Specializuara u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, ndërsa leximi i parë është përfunduar më 5 tetor.
“Prandaj, nëse Kuvendi sot miraton shmangien sipas nenit 123 dhe u siguron deputetëve dhe komisioneve kohë reale për paraqitjen e amendamenteve, shqyrtimin në komisionin përgjegjës, vlerësimin nga komisionet përkatëse dhe përgatitjen e raportit për seancë, nuk ekziston pengesë juridike që Projektligji të shqyrtohet dhe të votohet në lexim të dytë edhe sot”, ka deklaruar ai.
Në fund, Fetahu ka theksuar se, sipas interpretimit të tij juridik, nuk ekziston detyrim që të pritet deri të enjten dhe se Projektligji mund të shqyrtohet në lexim të dytë edhe sot, nëse Kuvendi vendos ta zbatojë nenin 123 në përputhje me standardet e Gjykatës Kushtetuese. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: