Gruda: Specialja duhet të kufizohet te mandati fillestar, krimet e luftës të gjykohen në Kosovë
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka paraqitur në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Duke folur në emër të PDK-së, Gruda ka thënë se nisma synon të ndryshojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke argumentuar se kompetencat për krimet e luftës…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka paraqitur në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Duke folur në emër të PDK-së, Gruda ka thënë se nisma synon të ndryshojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke argumentuar se kompetencat për krimet e luftës u janë dhënë këtyre dhomave përmes ligjit dhe jo drejtpërdrejt Kushtetutës.
Sipas Grudës, themelimi i Speciales lidhej me pretendimet e raportit të ish-senatorit zviceran Dick Marty për trafikim të organeve nga pjesëtarë të UÇK-së. Ai ka deklaruar se procesi gjyqësor në Hagë, sipas tij, ka dëshmuar se nuk ka pasur trafikim organesh.
“Ky ligj nuk e heq të drejtën e Speciales për të vazhduar hetimin për akuzën për trafikim organesh, por heq një pjesë të juridiksionit të Gjykatës Speciale, atë që ka të bëjë me krimet e luftës”, ka thënë Gruda.
Ai ka argumentuar se krimet e luftës duhet të gjykohen nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, ndërsa për rastet që tashmë janë duke u trajtuar në Hagë, përfshirë rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, procedurat do të vazhdonin në Hagë deri në vendimin e shkallës së dytë.
Sipas Grudës, nëse në këto raste do të ketë procedurë në Gjykatën Supreme, projektligji parasheh që ajo të zhvendoset në Kosovë.
Gruda ka thënë gjithashtu se projektligji parasheh që Kuvendi i Kosovës të ketë mundësi të kontraktojë organizata ndërkombëtare, universitete dhe institute për të mbikëqyrur punën e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e konsideruar mungesën e transparencës si të papranueshme.
Një tjetër ndryshim që, sipas tij, propozohet përmes këtij ligji është zbatimi i parimit të ligjit më të favorshëm për të akuzuarit, për të cilin Gruda ka thënë se nuk është zbatuar në disa raste.
“Ne nuk mund të pranojmë që kushdo qoftë të përlyej historinë e Kosovës në mungesë transparence”, ka deklaruar Gruda.
Në fund të fjalimit, ai ka thënë se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte vendim i drejtë në kohën kur ishte marrë, me qëllim që të hetoheshin pretendimet për trafikim organesh, por ka shtuar se tashmë, sipas tij, është krijuar një tjetër problem.
“Procesi gjashtëvjeçar ka dëshmuar se nuk ka pasur trafikim të organeve. Fatkeqësisht, ajo re e zezë ka ekzistuar për Kosovën për një kohë të gjatë, tani është shtuar një re tjetër e zezë. Janë akuzat për ta cilësuar UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është një rast i dytë ku po tentohet të vendoset një re e zezë mbi Kosovën që ky Kuvend nuk duhet ta lejojë”, ka thënë Gruda. /Lajmi.net/