Pas takimit Kurti–Hamza, Qeveria miraton vlerësimet për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten vlerësimin lidhur me nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Vendimi vjen pak orë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ku në fokus ishin pikërisht ndryshimet në Ligjin për Specialen dhe çështja…

Lajme

02/10/2026 22:40

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten vlerësimin lidhur me nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Vendimi vjen pak orë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ku në fokus ishin pikërisht ndryshimet në Ligjin për Specialen dhe çështja e zgjedhjes së presidentit. Takimi përfundoi pa marrëveshje, ndërsa Hamza deklaroi se prioritet për PDK-në mbetet miratimi i ndryshimeve në këtë ligj., transmeton lajmi.net.

Në mbledhjen e zhvilluar në formë elektronike, Qeveria vendosi që Kuvendit t’ia përcjellë vlerësimin që përfshin opinionin ligjor për përputhshmërinë e projektligjit me acquis të Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe opinionin juridik për përmbajtjen e tij.

Kërkesa e Kuvendit për këtë vlerësim ishte adresuar më 23 shtator 2026.

Ky zhvillim vjen në një moment kur ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë bërë pjesë e diskutimeve politike, ndërsa Kuvendi ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri./lajmi.net/