Haxhiu paralajmëron Kushtetuesen: Mund t’i drejtohem gjykatës nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 6 tetor

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se është shumë e rëndësishme që takimet mes partive politike të vazhdojnë për çështjen e presidentit dhe paralajmëroi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetueses sa i përket mandatit të saj nëse vendi nuk do të ketë president pas 6 tetorit. Haxhiu ka përkujtuar se kanë mbetur vetëm edhe…

Lajme

02/10/2026 14:27

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se është shumë e rëndësishme që takimet mes partive politike të vazhdojnë për çështjen e presidentit dhe paralajmëroi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetueses sa i përket mandatit të saj nëse vendi nuk do të ketë president pas 6 tetorit.

Haxhiu ka përkujtuar se kanë mbetur vetëm edhe pak ditë përpara skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, ku sipas saj, pas vendimit të 16 shtatorit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme “me vetëdije të plotë”.

“Është shumë e rëndësishme që takimet mes partive politike, me qëllim të arritjes së konsensusit për çështjen e presidentit, të vazhdojnë. Kemi shumë pak ditë para vetes, deri më 6 tetor, prandaj është shumë e rëndësishme të kemi takime që dërgojnë deri në një konsensus për çështjen e presidentit. Në rrethanat që jemi, mendoj që është shumë prioritet të dëshmojmë vullnet dhe jo në anën tjetër mungesë të vullnetit apo tendencë për të zvarritur, apo për ta çuar vendin sërish në zgjedhje të parakohshme edhe për shkak të vendimit të 16 shtatorit.

Nuk ka asnjë kuptim e asnjë arsye ta çojmë vendin me vetëdije në zgjedhje. Ftoj partitë politike që të vazhdojnë këto takime, me aq sa jam unë në dijeni, ato do të vazhdojnë shpejt. Uroj që nga këto takime të dalim me një konsensus për çështjen e presidentit”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se po e konsideron që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas saj, e ka marrë rolin e shkruarjes së Kushtetutës dhe e cila po bën nene pa qenë në Kushtetutë, që ta trajtojë mandatin e saj në rast se vendi nuk do të ketë president pas 6 tetorit, raporton kp.

“Sa i përket mandatit tim, Kushtetuta nuk flet për këtë çështje, realisht flet që u.d nuk mund të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj. Ka pasur interpretime të ndryshme, kanë përmendur çështjen e parimit të vazhdimësisë institucionale dhe të tjera si këto. Unë kam pritur që meqë Gjykata Kushtetuese e ka marrë rolin e shkruajtjes së Kushtetutës, përkatësisht po bën nene pa qenë fare në Kushtetutën e Kosovës, kam pritur që në Aktgjykimin e fundit do ta trajtojnë edhe këtë aspekt, mirëpo nuk e kanë trajtuar fare, pra s’kanë folur në asnjë prej pikave aty për këtë çështje. Jam duke e trajtuar që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, megjithatë nuk kam vendosur ende. Po pres të marr një sugjerim nga ekipi im që është i angazhuar në këtë drejtim, prandaj edhe do të njoftoheni me kohë që të veproj. Uroj që të mos vijmë në situata që të mos kemi ushtrues detyre edhe pas 6 tetorit. Uroj që të kemi president me mandat 5-vjeçar”, tha Haxhiu.

Kujtojmë, në rast të moszgjidhjes së presidentit të ri deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh, të cilat njëherësh do të ishin të tretat me radhë brenda më pak se një vit./Lajmi.net/