Mavraj në protestë: Pavarësisht a e duan apo jo, në shkolla do të mësohet emri i Hashim Thaçit – Gjykata e Hagës i dënoi me hile çlirimtarët
Ish-gazetari dhe profesori, Muhamet Mavraj ka folur sot para protestuesve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka komentuar zhvillimet rreth ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Mavraj tha se emri i Hashim Thaçit do të mësohet në shkollat e Kosovës, pavarësisht qëndrimeve që mund të kenë njerëzit ndaj tij. “Pavarësisht…
Lajme
Ish-gazetari dhe profesori, Muhamet Mavraj ka folur sot para protestuesve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka komentuar zhvillimet rreth ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Mavraj tha se emri i Hashim Thaçit do të mësohet në shkollat e Kosovës, pavarësisht qëndrimeve që mund të kenë njerëzit ndaj tij.
“Pavarësisht e duan apo nuk e duan, në shkolla do ta mësojnë emrin e Hashim Thaçit, fëmijët e çlirimtarëve por edhe fëmijët e tjerë”, tha Mavraj.
Ai iu referua edhe ish-komandantëve të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, duke thënë se edhe në proceset e tyre të mëparshme gjyqësore ishte ngritur zëri në mbështetje të tyre.
Mavraj e lidhi protestën edhe me përvjetorin e 1 Tetorit 1997, duke shprehur mirënjohje për studentët, nxënësit, mësuesit dhe profesorët që, sipas tij, kontribuuan në mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë.
“1 Tetori 1997 ka qenë pasojë e dështimit të politikës, jo mani e jona për të protestuar, por për këtë punë është rinia, është edhe sot, do të jetë edhe nesër”, u shpreh ai.
Ai tha se protesta e sotme vjen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, duke përmendur proceset gjyqësore në Hagë dhe zhvillimet pas luftës.
“Mos të gëzohen shumë që janë gëzuar dhe mos të hidhërohen shumë ata që janë hidhëruar, sepse jemi shumë”, tha Mavraj.
Më tej, ai kritikoi proceset gjyqësore në Hagë dhe mënyrën e zhvillimit të tyre, duke pretenduar se vendimet ndaj çlirimtarëve nuk përfaqësojnë drejtësi të mirëfilltë.
“Gjykata e Hagës me hile i dënoi çlirimtarët tanë. Kjo nuk është drejtësi”, deklaroi Mavraj.
Në fjalimin e tij, ai foli edhe për përvojën e tij me ish-prokurorin amerikan Clint Williamson, si dhe për periudhën e represionit jugosllav ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mavraj tha se gjatë asaj periudhe shqiptarët dhe të rinjtë e Kosovës kishin vuajtur dënime të shumta me burg.
Ai e përmbylli fjalimin duke bërë thirrje për unitet dhe duke theksuar se, sipas tij, në momentet kur kombi përballet me rrezik, dallimet politike e ideologjike duhet të lihen mënjanë.