Vajza e doktor Lec Gradicës: Nuk kërkojmë privilegj e as hakmarrje, duam drejtësi për çlirimtarët

Doktoresha Lavdie Leci ka folur sot para protestuesve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke rrëfyer historinë e familjes së saj dhe sakrificën e babait të saj, doktor Lec Gradicës, i cili shërbeu si mjek i UÇK-së dhe u vra gjatë luftës në vitin 1998. Leci tha se ndihet krenare për historinë e familjes së saj,…

Lajme

01/10/2026 16:47

Doktoresha Lavdie Leci ka folur sot para protestuesve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke rrëfyer historinë e familjes së saj dhe sakrificën e babait të saj, doktor Lec Gradicës, i cili shërbeu si mjek i UÇK-së dhe u vra gjatë luftës në vitin 1998.

Leci tha se ndihet krenare për historinë e familjes së saj, por njëkohësisht shprehu dhimbje që, sipas saj, ende duhet të dëshmohet drejtësia e luftës së UÇK-së.

“Sot po aq sa po ndihem krenare të flas për një pjesë të lavdishme, po aq ndjej dhimbje të thellë që ne si popull ende po orvatemi t’i dëshmojmë gjithë botës se lufta e lavdishme e UÇK-së ishte e drejtë dhe u nis nga bijtë dhe bijat më të mira të vendit për të mbrojtur tokat tona, jetën tonë dhe për të na sjellë lirinë”, tha ajo.

Ajo tregoi se gjatë pranverës së vitit 1998, familja e saj ndodhej në fshatin Gradicë, ku prindërit e saj u kishin ofruar ndihmë luftëtarëve, të plagosurve dhe popullatës së zonës së Drenicës.

Sipas Lecit, babai i saj, duke parë nevojat e mëdha për trajtim mjekësor, themeloi spitalin ushtarak të UÇK-së në Gradicë.

“Babi, duke parë se nevojat shtoheshin dhe kërkesat ishin të mëdha, mori përsipër dhe themeloi spitalin ushtarak të UÇK-së në Gradicë”, u shpreh ajo.

Leci tha se babai i saj vazhdoi t’u ndihmonte të plagosurve deri në rënien e tij në shtator të vitit 1998, në malet e Qyqavicës.

Ajo foli edhe për nënën e saj, e cila gjatë luftës humbi bashkëshortin dhe babanë e saj, duke thënë se ajo i kishte mësuar fëmijët të qëndronin të fortë përballë dhimbjes.

“Unë jam rritur me mungesën e prindit dhe dhimbjen e familjes për një figurë atërore, por edhe me krenarinë sepse kam kuptuar se babi iu gjend Kosovës në momentin kur i duhej më së shumti”, tha Leci.

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ajo tha se nuk do të lejojnë që, sipas saj, historia e luftës të shtrembërohet.

“Ne respektojmë drejtësinë, por drejtësia duhet të jetë e drejtë”, deklaroi ajo.

Në fund, Leci tha se familjarët e dëshmorëve dhe mbështetësit e tyre nuk kërkojnë privilegje apo hakmarrje, por drejtësi për çlirimtarët.

“Ne nuk kërkojmë privilegj, as nuk kërkojmë hakmarrje, ne duam drejtësi dhe në emrin tonë e të dëshmorëve, për familjet tona, duam drejtësi për çlirimtarët. Ata i presim të lirë siç e meritojnë”, përfundoi ajo. /Lajmi.net/