Vetëm rreth 100 tifozë izraelitë pritet të jenë në tribuna ndaj Kosovës
Izraeli pritet të ketë mbështetje minimale nga tribunat në përballjen ndaj Kosovës, që zhvillohet të enjten në Debrecen të Hungarisë. Sipas mediumit izraelit “One”, vetëm rreth 100 bileta janë blerë deri tani nga tifozët izraelitë për këtë ndeshje, në të cilën Izraeli figuron si organizator. Për shkak të situatës së sigurisë, Izraeli nuk po i…
Sport
Izraeli pritet të ketë mbështetje minimale nga tribunat në përballjen ndaj Kosovës, që zhvillohet të enjten në Debrecen të Hungarisë.
Sipas mediumit izraelit “One”, vetëm rreth 100 bileta janë blerë deri tani nga tifozët izraelitë për këtë ndeshje, në të cilën Izraeli figuron si organizator.
Për shkak të situatës së sigurisë, Izraeli nuk po i zhvillon ndeshjet në shtëpi në territorin e tij, ndërsa Debreceni është një prej qyteteve ku përfaqësuesja izraelite po i zhvillon ndeshjet si “vendëse”.
“Debreceni është mësuar të presë Izraelin në një kohë kur nuk mund të luajë si vendës, por këtë herë shifrat janë veçanërisht të ulëta. Aktualisht, vetëm rreth 100 tifozë kanë blerë bileta për ndeshjen, kështu që skuadra pritet të marrë shumë pak mbështetje izraelite nga tribunat në një ndeshje ku duhet të fitojë”, shkruan “One”.
Mediumi izraelit e lidh numrin e ulët të tifozëve me qëndrimin e gjatë të ekipit jashtë Izraelit, por edhe me rezultatet e fundit.
Federata izraelite, sipas këtij mediumi, është e vetëdijshme për situatën dhe e konsideron atë si rezultat të kombinimit të periudhës së gjatë larg vendit dhe rënies së entuziazmit pas dy humbjeve radhazi.
“Për tifozët izraelitë ardhja në një ndeshje ‘në shtëpi’ është shndërruar në një udhëtim jashtë vendit, dhe kur kjo kombinohet me dy humbje radhazi, dëshira për të marrë pjesë natyrshëm zvogëlohet edhe më shumë”, raporton mediumi izraelit.
Në aspektin sportiv, Izraeli e pret Kosovën në një situatë të vështirë në Grupin B3. Pas dy ndeshjeve, izraelitët janë të fundit pa pikë, ndërsa Kosova ka grumbulluar tri pikë dhe renditet e dyta.
Ndeshja Izrael–Kosovë zhvillohet të enjten në Debrecen, me fillim nga ora 20:45.