Greiçevci: Clint Williamson është prokuror mashtrues, gënjeshtrat e tij ia imponuan Kosovës Gjykatën Speciale

Lirim Greiçevci, pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-prokurorit Clint Williamson, të cilin e ka akuzuar për deklarata të rreme lidhur me hetimet për pretendimet e raportit të Dick Martyt. Me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, Greiçevci e ka quajtur Williamsonin “prokuror mashtrues”, duke thënë se ai…

Lajme

30/09/2026 15:35

Lirim Greiçevci, pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-prokurorit Clint Williamson, të cilin e ka akuzuar për deklarata të rreme lidhur me hetimet për pretendimet e raportit të Dick Martyt.

Me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, Greiçevci e ka quajtur Williamsonin “prokuror mashtrues”, duke thënë se ai është “më i dëmshëm se Dick Marty”.

“Paska folur sërish ky prokurori mashtrues, Clint Williamson. Ai është më i dëmshëm se Dick Marty. Pasi u mor me hetimin e raportit të këtij të fundit, për gati tri vite, doli në konferencë shtypi në Bruksel dhe gënjeu se i kishe “vërtetuar përgjithësisht” akuzat në raportin e Martyt. Gënjeu edhe më zi, duke thënë se trafikimi me organe kishte ndodhur në disa raste të kufizuara, të cilat mund të numëroheshin “në gishta të duarve”, dmth jo më shumë se dhjetë raste. Gënjeu gjithashtu se e kishte të gatshme një aktakuzë dhe se vetëm po priste formimin e një gjykateje”, ka deklaruar Greiçevci.

Reagimi i tij vjen pas intervistës së prokurorit Clint Williamson për BIRN-in, i cili ndër të tjera deklaroi se Kosova s’arriti ta përgatisë publikun për vendimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Si e dimë që gënjeu Williamson? Ekipet mbrojtëse kanë parë dokumentacionin e tij që ka lënë prapa ai. Ai nuk kishte vërtetuar asgjë, aq më pak trafikim organesh. Aktakuza e tij fantome nuk u dorëzua as nuk u konfirmua asnjëherë. Ai i hetoi ngjarjet e pasluftës në Kosovë. Trupi gjykues, edhe ashtu, i hodhi poshtë të gjitha akuzat pas 20 qershor 1999”, deklaron më tej Greiçevci.

“Kosova duhet të kërkojë përgjegjësi nga ky mashtrues. Ai duhet të na tregojë se a mashtroi vetë, apo e nxiti dikush tjetër të mashtrojë. Tash flitet se ai punon për ndjekjen e krimeve në Ukrainë. Vaj halli për Ukrainën”, përmbyll shkrimin ai.