“Çele guri gojën” Zhvillime plotë në Kosovë, por ku janë tandemi i partisë institucionaliste Abdixhiku – Osmani?
Politika në Kosovë është duke kaluar në zhvillime të shumta dhe tejet të rëndësishme. Në njërën anë, kanë mbetur edhe 6 ditë deri kur mbaron afati kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri dhe në tjetrën anë, ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara të propozuara nga PDK-ja, transmeton lajmi.net. Në krejt këto zhvillime, vazhdimisht kemi…
Lajme
Politika në Kosovë është duke kaluar në zhvillime të shumta dhe tejet të rëndësishme.
Në njërën anë, kanë mbetur edhe 6 ditë deri kur mbaron afati kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri dhe në tjetrën anë, ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara të propozuara nga PDK-ja, transmeton lajmi.net.
Në krejt këto zhvillime, vazhdimisht kemi reagime të shumta nga liderët e të gjitha partive, përveç njërës.
Lidershipi i LDK-së, tandemi, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani, që po pretendon se do ta ringjallë partinë, nuk po qesin zë për asnjërin prej çështjeve.
Në një artikull të Radio Evropa e Lirë me 15 shtator, nga LDK kishin thënë se bisedimet VV-LDK për president do të pezullohen deri të del aktgjykimi i Kushtetueses.
“Nuk ka takime, pa vendim të Gjykatës Kushtetuese”, kishte thënë shkurt nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Aktgjykimi doli, por LDK po qëndron pasive. Nuk ka ndonjë zhvillim tutje rreth kësaj teme sa i përket nga ana e partisë së Abdixhikut.
Në heshtje totale dhe sikur të mos jetonin në Kosovë, Abdixhiku dhe Osmani po e kalojnë edhe temën për propozimin për të ndryshuar ligjin për Dhomat Specializuara.
Tandemi i LDK-së së re nuk po flet asnjë fjalë për këtë propozim të PDK-së. Madje në heshtje Abdixhiku dhe e gjithë LDK-ja e mbajti edhe takimin që pati të dielën me Kurtin, për votimin e Deklaratës për Specialen.
Nuk dihet se cili është qëndrimi i LDK-së karshi kësaj. Kjo parti, që sipas lidershipit të saj është subjekt institucionalist, nuk po jep qëndrim për çështjet kryesore.
Çka po thotë Albin Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së qeverisë ka dal në konferencë për media.
Kurti ka folur për çështjen e Presidentit para gazetarëve, transmeton lajmi.net.
Ai u shpreh se është e domosdoshme që të ketë takime të reja dhe se është optimist.
“Për Presidentin, i kemi vetëm gjashtë ditë nëse nuk llogaritim ditën e sotme. Jemi duke numëruar me shpejtësi teposhtë, është e domosdoshme që të kemi takime të reja. Në njërën anë na duhet strategji shtetërore për të pandehurit në Hagë që padrejtësisht u shpallën fajtor, dhe në anën tjetër nuk besoj që duhet të ketë një destabilitet të mëtutjeshëm institucional. Në këtë situatë kur me 99 vota për e arritëm një dakordim të përgjithshëm, dhe tash të hyjmë në rivalitetet e ashpra të fushatave zgjedhore. Nuk besoj që është punë e mençur nga e cila do të përfitonte ndokush përveç se kundërshtarëve të Kosovës. Prandaj, duhet të ketë takime dhe unë besoj se do të duhet të ulemi të diskutojmë dhe dakordësinë ta vazhdojmë edhe më tej. Besoj që duhet të ketë takime, diskutime dhe pajtime. Unë kam parë që është e mundshme, ekziston rruga në të cilën mund të ecim bashkë dhe 99 vota për deklaratën e së hënës janë një dëshmi e qartë për këtë. Unë nuk besoj që këto diskutime duhet t’i bëj për media, besoj që këto diskutime duhet të zhvillohen mes krerëve të partive, subjekteve parlamentare në biseda të brendshme dhe më pas t’i publikojmë rezultatet e këtyre bisedave. Unë jam optimist sepse kam parë se është e mundshme. Përveç se kemi vullnet kemi edhe mundësia, dhe kur ekzistojnë ato është mëkat të mungoj suksesi.”, tha Kurti.
Kurse, kryetari i VV-së për iniciativën ligjore të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se është çështje e Kuvendit të Kosovës, që i është drejtuar zyrës ligjore për opinion në Kryeministri.
“Tash zyra ligjore në Kryeministri ka kërkuar vendim nga zyra ligjore në MD, gjithashtu nga departamenti për buxhet në Ministri të Financave. Kjo është procedurë e rregullt, qysh bëhet me secilën iniciativë ligjore. Prej informimeve që kam nga Ministritë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe vlerësimin financiar të departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave dhe menjëherë do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdoj më tutje procedura”, ka shtuar Kurti.
Çka po thotë Bedri Hamza?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar mbrëmë se votimi i ndryshimit të ligjit që lidhet me Gjykatën Speciale duhet të ndodhë para nisjes së bisedimeve për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Hamza ka thënë se kjo çështje është prioritet për PDK-në, ndërsa ka bërë të ditur se deri më tani bisedimet për Presidentin nuk kanë prodhuar një marrëveshje.
“Ligji është top prioritet për të gjitha. Ne kemi bisedu për Presidentin dhe kemi pa që nuk ka rrugë për marrëveshje dhe kemi treguar që vazhdojmë me opozitë”, ka deklaruar Hamza në T7.
Sipas tij, ndryshimi i ligjit duhet të votohet para zgjedhjes së Presidentit, duke insistuar që procedurat për këtë çështje të përfundojnë sa më shpejt.
“Ligji duhet më i pari zgjedhjes së Presidentit, një ditë pa u zgjedh Presidenti duhet me u kry. Unë mendoj që duhet nesër. Nuk ka biseda për Presidentin pa e votuar ligjin”, ka thënë ai.
Kreu i PDK-së ka bërë të qartë se vetëm pasi ligji të kalojë në dy lexime, partia e tij është e gatshme të ulet në tryezë për të diskutuar për një emër të përbashkët për President.
“Po e them qartë, e para është ligji. Kalon ligji në dy lexime, atëherë ulum dhe bisedojmë për Presidentin, ku i garantoj që ka me i pas 22 vota të PDK-së, ai proces për atë emër që dakordohemi”, ka deklaruar Hamza.
Çka po thotë Ardian Gjini?
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka njoftuar se dje se është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së partisë, e para pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Gjini ka thënë se Aleanca mbetet e prerë në qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale, dhe do të vazhdojë të kërkojë që ndihma ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtja e të drejtave shtetërore të Kosovës të mos përzihen me politika partiake.
Ai ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke shprehur shqetësim për zvarritjen e mëtejshme të tij.
“Zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit, duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja, dhe tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë një paqartësi edhe më të madhe për qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar Gjini.
Kreu i Aleancës ka theksuar se partia e tij ka qenë, sipas tij, konsistente dhe konstruktive për çështjet që lidhen me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend”, ka thënë Gjini.
Kësisoj derisa liderët e partive të tjera politike shqiptare në Kosovë deklarohen për urgjencën e këtyre çështjeve, ish-presidentja Osmani e cila renditej në rreshtin e parë të protestave dhe lideri i LDK-së Abdixhiku kanë rënë në përgjumje- duke mos dashur të përzihen në asnjërën çështje pavarësisht rëndësisë që kanë./Lajmi.net/