Smajl Latifi reagon pas incidentit në Superkupën në basketboll
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar pas incidenteve të shënuara në palestrën “Mizahir Isma” gjatë finales së Superkupës së Kosovës në basketboll, ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit. Latifi ka dënuar ashpër sjelljet e dhunshme, fyerjet dhe dëmtimin e pronës publike, duke theksuar se rivaliteti sportiv nuk duhet të shndërrohet në dhunë. “Rivaliteti është…
Sport
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar pas incidenteve të shënuara në palestrën “Mizahir Isma” gjatë finales së Superkupës së Kosovës në basketboll, ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit.
Latifi ka dënuar ashpër sjelljet e dhunshme, fyerjet dhe dëmtimin e pronës publike, duke theksuar se rivaliteti sportiv nuk duhet të shndërrohet në dhunë.
“Rivaliteti është pjesë e sportit, por fyerjet, dhuna dhe dëmtimi i pronës publike nuk janë tifozllëk. Është veçanërisht e dhimbshme që, vetëm një ditë pas bashkimit të të gjitha tifozërive, në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe kërkesës: “Liri për çlirimtarët!”, pamë sharje e përplasje mes tifozërive nën simbolet e saj. Ky kontrast është i papranueshëm dhe përcjell një mesazh të gabuar, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë që duam t’i edukojmë me dashuri për sportin, me respekt për kundërshtarin dhe me kulturë qytetare”, ka shkruar Latifi.
Ai ka kërkuar që Federata e Basketbollit të Kosovës dhe klubet përkatëse të marrin përgjegjësi institucionale për mangësitë e evidentuara në organizim, duke kërkuar masa më të rrepta të sigurisë dhe kontrollit gjatë ndeshjeve të tilla.
Sipas Latifit, dëmtimi i ulëseve, infrastrukturës dhe hapësirave të palestrës përbën dëm ndaj pronës publike të qytetarëve të Rahovecit.
“Dëmtimi i ulëseve, i infrastrukturës dhe i hapësirave të palestrës është dëm ndaj një prone publike, që i përket qytetarëve të Rahovecit. Këto dëme nuk duhet të rëndojnë mbi buxhetin e Komunës së Rahovecit dhe mbi taksapaguesit tanë. Organizatorët dhe palët përgjegjëse duhet të marrin përsipër kompensimin e dëmeve të shkaktuara, në përputhje me përgjegjësitë dhe me procedurat përkatëse”, ka theksuar ai.
Kryetari i Rahovecit ka falënderuar Policinë e Kosovës për reagimin gjatë incidenteve, ndërsa ka bërë thirrje për respekt ndaj kundërshtarit dhe ruajtje të pronës publike.
Ai ka shtuar se Rahoveci do të vazhdojë të jetë mikpritës i ngjarjeve sportive, por ka paralajmëruar se mikpritja nuk nënkupton tolerim të vandalizmit.
Bashkimi është fitues i Superkupës së Kosovës, pasi në një finale dramatike mposhti Trepçën me rezultat 103:93, pas vazhdimeve.