Apeli shtyn afatin për ankesën e krerëve të UÇK-së, vendos 27 nëntorin si datë të fundit
Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka vendosur që të zgjasë afatin për paraqitjen e njoftimit të apelit nga Mbrojtja në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Paneli, i caktuar më 22 shtator nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe…
Lajme
Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka vendosur që të zgjasë afatin për paraqitjen e njoftimit të apelit nga Mbrojtja në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Paneli, i caktuar më 22 shtator nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.
Sipas rregullave procedurale, njoftimi për apelim duhej të dorëzohej deri më 16 tetor, pra brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit. Megjithatë, Paneli i Apelit e ka pranuar kërkesën e Mbrojtjes për shtyrje dhe ka caktuar 27 nëntorin 2026 si afatin e ri përfundimtar.
Në vendimin e tij, Paneli ka marrë parasysh argumentet e Mbrojtjes lidhur me kohën e nevojshme për shqyrtimin e aktgjykimit. Mbrojtja ka theksuar se gjatësia dhe kompleksiteti i jashtëzakonshëm i aktgjykimit përbëjnë arsye për zgjatjen e afatit.
Një tjetër çështje e ngritur nga Mbrojtja është mungesa e përkthimit të aktgjykimit në gjuhën shqipe. Sipas saj, pamundësia e të akuzuarve për ta lexuar aktgjykimin në gjuhën angleze paraqet vështirësi shtesë në përgatitjen e ankesës.
Mbrojtja ka argumentuar gjithashtu se duhet të angazhojë burime të konsiderueshme për procesin e përkthimit, duke ndikuar kështu në kohën dhe kapacitetet e nevojshme për përgatitjen e njoftimit të apelit.
Duke marrë parasysh këto rrethana, Paneli i Apelit ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që, brenda 10 ditësh nga marrja e vendimit, të raportojë për ecurinë e përkthimit të aktgjykimit në gjuhën shqipe.
Zyra duhet të paraqesë edhe datat e pritshme kur do të jenë në dispozicion përkthimi paraprak, i pa rishikuar, si dhe versioni zyrtar dhe përfundimtar në gjuhën shqipe.
Aktgjykimi ka 2,089 faqe
Në arsyetimin për shtyrjen e afatit, Apeli ka marrë parasysh edhe përmasat e rastit dhe kompleksitetin e aktgjykimit.
Aktgjykimi i shkallës së parë përmban 2,089 faqe, duke u cilësuar si aktgjykimi më i gjatë i nxjerrë deri më tani nga Dhomat e Specializuara.
Sipas Panelit, çështja është veçanërisht komplekse edhe për shkak të shtrirjes së aktakuzës dhe roleve udhëheqëse që u atribuohen të akuzuarve.
Në vendim theksohet se çështja përfshin një numër të madh vendngjarjesh dhe incidentesh të pretenduara në territorin e 16 komunave të Kosovës, në gjashtë zona operative të UÇK-së, si dhe në pjesë të Shqipërisë së Veriut, gjatë periudhës nga të paktën prilli 1998 deri më 20 qershor 1999.
Ndërkohë, procesi i përgatitjes së versionit publik të aktgjykimit ende nuk ka përfunduar.
Sipas vendimit, ZPS-ja duhet të shpërndajë deri më 7 tetor 2026 një version të propozuar të redaktuar të aktgjykimit. Më pas, palët dhe pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zhvillojnë diskutime lidhur me redaktimet e propozuara deri më 19 tetor 2026.
Kjo nënkupton se para publikimit të versionit përfundimtar, aktgjykimi kalon nëpër procesin e redaktimit dhe shqyrtimit të materialeve që mund të jenë të mbrojtura ose konfidenciale.
Me vendimin e fundit, 27 nëntori 2026 mbetet afati i ri për paraqitjen e njoftimit të apelit nga Mbrojtja.