Qeveria nuk e dërgoi ligjin për Specialen në Kuvend, PDK-ja mblidhet nesër
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka proceduar sot në Kuvend 11 projektligje, por në mesin e tyre nuk figuron Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Si reagim i menjëhershëm ndaj këtij veprimi të ekzekutivit, Deliu-Kodra njoftoi se Partia Demokratike e…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka proceduar sot në Kuvend 11 projektligje, por në mesin e tyre nuk figuron Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Si reagim i menjëhershëm ndaj këtij veprimi të ekzekutivit, Deliu-Kodra njoftoi se Partia Demokratike e Kosovës do të zhvillojë një mbledhje urgjente nesër në orët e hershme të mëngjesit.
“Pas kësaj informate që kemi marrë, Partia Demokratike e Kosovës do të mblidhet nesër në mëngjes, do të ketë mbledhje në orët e hershme të mëngjesit. Është po e them, është e paprecedentë, është – e para është fyerje me nevojën emergjente që sot e ka Kosova, është shpërfillje ndaj situatës politike që e kemi, është shpërfillje ndaj mijëra protestuesve të cilët protestojnë tash e 14 net në kryeqytetin e Kosovës”, tha Deliu-Kodra në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Deliu-Kodra sqaroi se njoftimi zyrtar në postën elektronike të deputetëve ka ardhur pas orës 15:00, duke shkaktuar habi dhe dyshime brenda grupit parlamentar.
Deputetja theksoi gjithashtu se iniciativa ligjore e PDK-së është përcjellë zyrtarisht nga Kuvendi në Qeveri që nga data 23, duke vënë në dukje se Ministria e Drejtësisë e ka pasur të gjithë hapësirën e nevojshme për ta proceduar me urgjencë.