Vuçiq lë presidencën, ia dorëzon atë Bërnabiqit: Nga nesër do të jem njëri prej jush
Aleksandar Vuçiq ia ka dorëzuar sot detyrën e presidentit të Serbisë kryetares së Kuvendit të këtij shteti, Ana Bërnabiq. Ajo do të ushtrojë detyrën e kryetares deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij. “Ia dorëzova detyrat e presidentit të Republikës Ana Bërnabiqit, kryetares së Kuvendit, e cila po ushtron detyrën e presidentes”, njoftoi ai në…
Lajme
Aleksandar Vuçiq ia ka dorëzuar sot detyrën e presidentit të Serbisë kryetares së Kuvendit të këtij shteti, Ana Bërnabiq. Ajo do të ushtrojë detyrën e kryetares deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij.
“Ia dorëzova detyrat e presidentit të Republikës Ana Bërnabiqit, kryetares së Kuvendit, e cila po ushtron detyrën e presidentes”, njoftoi ai në rrjete sociale.
Dorëzimi i detyrës pasoi dorëheqjen nga të qenit shef shteti në Serbi, që Vuçiqi e njoftoi të dielën mbrëma.
“Udhëheqja do të thotë të marrësh vendime të vështira dhe përgjegjësi për secilin prej tyre”, u shpreh ai me këtë rast, duke falënderoi qytetarët që, siç tha, ia kishin besuar 2 herë detyrën e presidentit.
Pak para këtij akti, ai iu drejtua qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit, në Beograd.
Në postimin për atë fjalim, Vuciq tha se ishte hera e fundit që po fliste si kryetar.
“Gjatë 2 mandateve presidenciale ju shërbeva besnikërisht, me nder dhe ndershmëri”, tha ai. “Nga nesër do të jem formalisht njëri prej jush dhe bashkë me ju në luftën për Serbinë”.
Aleksandar Vuçiq u bë president i Serbisë më 31 maj 2017, kur dha betimin pas fitores në zgjedhjet e 2 prillit të atij viti.
Më herët, ai kishte qenë deputet dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe. Më pas shërbeu si ministër i Informimit gjatë viteve 1998–2000, ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër nga viti 2012, si dhe kryeministër nga viti 2014 deri në marrjen e presidencës në vitin 2017.
Arsyeja që dha për dorëheqjen më 27 shtator 2026 ishte, siç tha, “dëshira për të marrë pjesë si “qytetar i zakonshëm” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit”.
Megjithatë, opozita thotë se ai e ka ndërmend të bëhet sërish kryeministër i Serbisë, në rast se subjekti me të cilin merr pjesë në këto zgjedhje, i fiton ato.