Para sfidës me Austrinë, Rashica: Kemi treguar paraqitje të mira ndaj të mëdhenjve
Milot Rashica ka vlerësuar fitoren e Kosovës ndaj Irlandës, duke e cilësuar si një nisje të rëndësishme të kampanjës në Ligën e Kombeve. Kosova e mposhti Irlandën me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, me golin e Vedat Muriqit në minutat e fundit të takimit. “Dardanët” krijuan disa mundësi gjatë ndeshjes, ndërsa në fund arritën…
Sport
Milot Rashica ka vlerësuar fitoren e Kosovës ndaj Irlandës, duke e cilësuar si një nisje të rëndësishme të kampanjës në Ligën e Kombeve.
Kosova e mposhti Irlandën me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, me golin e Vedat Muriqit në minutat e fundit të takimit. “Dardanët” krijuan disa mundësi gjatë ndeshjes, ndërsa në fund arritën të sigurojnë tri pikët.
Rashica tha se më e rëndësishmja ishte që Kosova ta niste kampanjën me fitore, veçanërisht në ndeshjen e parë dhe para tifozëve të saj.
“Qajo ka qenë më e rëndësishmja, me e startu këtë kampanjë me fitore, edhe sidomos ndeshjen e parë, pasi që ishte në shtëpi. Besoj që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, kemi dominuar prej minutës së parë, kemi pasur shumë raste në pjesën e parë. Me pak fat, do të kishim shënuar ndoshta dy-tre gola, por në fund ia dolëm që në minutat e fundit të shënonim dhe arritëm të mbronim mirë, kështu që gjithçka ka qenë mirë”, ka deklaruar Rashica.
Sulmuesi i Kosovës foli edhe për përballjen e radhës ndaj Austrisë, duke e pranuar se bëhet fjalë për një kundërshtar më të fortë.
“Besoj që është edhe një kundërshtar edhe më i fortë, por edhe në të kaluarën e kemi treguar që edhe kundër kundërshtarëve dhe ekipeve të mëdha dimë të bëjmë paraqitje të mira. Kështu që po synojmë me shku për tri pikë dhe shpresojmë me u kthy me tri pikë”, u shpreh Rashica.
Kosova do të përballet me Austrinë të dielën në Vjenë, në ndeshjen e radhës të Ligës së Kombeve.