Ademi: Çfarë mbrëmje, çfarë fitoreje! Liria ka emër – për çlirimtarët
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas fitores së Kosovës ndaj Irlandës në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve. Kosova triumfoi 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, falë golit të kapitenit Vedat Muriqi në minutën e 83-të. Në një postim pas ndeshjes, Ademi e ka cilësuar mbrëmjen si një fillim të…
Sport
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas fitores së Kosovës ndaj Irlandës në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve. Kosova triumfoi 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, falë golit të kapitenit Vedat Muriqi në minutën e 83-të.
Në një postim pas ndeshjes, Ademi e ka cilësuar mbrëmjen si një fillim të ri për Kombëtaren, duke përgëzuar futbollistët, përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin teknik për paraqitjen ndaj Irlandës, transmeton lajmi.net.
“Çfarë mbrëmje, çfarë fitoreje! Ju lumtë, Dardanë!”, ka shkruar Ademi, duke theksuar se fitorja vjen pas zhgënjimit të humbjes ndaj Turqisë në finalen e “play-off”-it për Botërorin 2026.
Sipas tij, Kombëtarja dha përgjigjen në fushë duke nisur edicionin e ri me fitore dhe duke treguar, siç shkruan ai, se është e gatshme të hapë një kapitull të ri me “besim, përkushtim dhe ambicie të reja”.
Ademi është ndalur edhe te atmosfera në “Fadil Vokrri”, duke falënderuar tifozët “Dardanët” për mbështetjen e dhënë gjatë ndeshjes. Ai ka veçuar gjithashtu mesazhet e përcjella në stadium në mbështetje të çlirimtarëve.
“Mirënjohje për secilin futbollist për angazhimin, karakterin dhe përkushtimin e treguar gjatë 90 minutave”, ka shkruar më tej kreu i FFK-së, duke falënderuar edhe stafin teknik, ekipin organizativ dhe institucionet e rendit dhe sigurisë.
Kosova e nisi kështu me tri pikë Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi Muriqi shënoi në minutën e 83-të pas një aksioni ku topi i goditur nga Ermal Krasniqi përfundoi në traversë dhe kapiteni kosovar reagoi i pari në kthim.
Në fund të reagimit të tij, Ademi e përmbylli postimin me mesazhin: “Sonte fituam në fushë, por fituam edhe në unitet, krenari dhe dashuri për Kosovën.”
Postimin e shoqëroi me thirrjen: “LIRIA KA EMËR! PËR ÇLIRIMTARËT!”./lajmi.net/