Haxhiu: Afrim Bunjaku me shokë parandaluan aneksimin e veriut nga Serbia
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në shënim të trevjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar agresionin në Banjskë të Zveçanit të 24 shtatorit 2023, duke vlerësuar se Policia e Kosovës kishte parandaluar një përpjekje për shkëputjen dhe aneksimin…
Lajme
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në shënim të trevjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar agresionin në Banjskë të Zveçanit të 24 shtatorit 2023, duke vlerësuar se Policia e Kosovës kishte parandaluar një përpjekje për shkëputjen dhe aneksimin e veriut të vendit nga Serbia.
Haxhiu u shpreh se institucionet e Kosovës kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë.
“Më 24 shtator të vitit 2023, në orët e para të mëngjesit, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës, pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë. Ajo që i priste atje nuk ishte thjesht një incident i zakonshëm policor, por ishte një sulm terrorist i përgatitur paraprakisht nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë me eksploziv, automatikë të blinduar dhe sasi të mëdha municioni. Institucionet tona kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë. Synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë së Kosovës, por shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Këtë synim e ka konstatuar këtë vit edhe Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit në rastin Banjska”, theksoi ajo.
Ajo ka folur edhe për përvojën e rreshterit Bunjaku në Policinë e Kosovës, duke theksuar se ai kishte 22 vjet përvojë në polici dhe 16 vjet shërbim si rreshter.
“Afrim Bunjaku kishte 22 vjet përvojë në Policinë e Kosovës dhe 16 vjet si rreshter. Kur arritën te bllokada, ai nuk i la policët më të rinj të shkonin para tij, doli vetë i pari. Në atë moment shpërtheu një mjet eksploziv. Afrimi dhe polici Alban Rashiti u plagosën, ndërsa menjëherë më pas ndaj policëve u hap zjarr. Nëntoger Mirsad Kryeziu arriti ta tërhiqte Afrimin nga vendi ku kishte mbetur i plagosur. Afrim Bunjaku ra atë mëngjes në krye të detyrës, por plani për të cilin ishte përgatitur ai sulm dështoi. Kolegët e tij vazhduan operacionin, Policia e Kosovës e mori situatën nën kontroll dhe pengoi grupin e armatosur që të merrte nën kontroll territor në veri të vendit. Përpjekja për shkëputjen dhe aneksimin e veriut dështoi falë guximit, falë profesionalizmit dhe falë vendosmërisë së Policisë së Kosovës”, u shpreh ajo.