Evropa shqyrton plane emergjente pas provokimeve ruse dhe paralajmërimeve për sulm të mundshëm

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, nuk pajtohet me thirrjet e vazhdueshme dhe raportimet se Rusia mund ta sulmojë NATO-n ose Bashkimin Evropian në muajt e ardhshëm, në përpjekje për ta dobësuar mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ai thotë se kjo tashmë ka filluar. “Ne nuk po flasim për një luftë konvencionale. Po flasim për të…

Bota

24/09/2026 09:06

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, nuk pajtohet me thirrjet e vazhdueshme dhe raportimet se Rusia mund ta sulmojë NATO-n ose Bashkimin Evropian në muajt e ardhshëm, në përpjekje për ta dobësuar mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ai thotë se kjo tashmë ka filluar.

“Ne nuk po flasim për një luftë konvencionale. Po flasim për të gjitha llojet e provokimeve, të gjitha llojet e akteve të sabotimit, të gjitha llojet e testimeve dhe, padyshim, kjo është diçka që po ndodh derisa ne po flasim”, tha lideri leton për Radion Evropa e Lirë (REL) në një intervistë të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara më 21 shtator.

Zyrtarë të inteligjencës evropiane, CIA, madje edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk, kanë paralajmëruar ditët e fundit se Moska mund të shkojë aq larg saqë të kryejë ndonjë sulm ajror, në një formë apo tjetër, ndaj territorit të NATO-s në muajt e ardhshëm, për të treguar se zotimi i aleancës ushtarake për mbrojtje të përbashkët, sipas Nenit 5, është pak a shumë disa fjalë në një copë letre.
Rastet e sulmeve të muajve të fundit, që i janë atribuuar Rusisë – dhe që Instituti për Studimin e Luftës (ISË) i quan “seri e koordinuar fushatash kinetike” – përfshijnë zjarrvënie, plane për atentate dhe sabotim të infrastrukturës, si dëmtimi i hekurudhave dhe ndërhyrjet elektronike.

Moska mohon vazhdimisht çdo përfshirje në operacionet e sabotimit që qeveritë evropiane ia atribuojnë asaj, por zyrtarët në kryeqytetet e NATO-s dhe BE-së kanë shtuar përpjekjet për të hartuar plane emergjente dhe masa kundërvepruese.

Skenari i Narvës
Një skenar i tillë është i ashtuquajturi “skenari i Narvës”, i cili përshkruan një situatë hipotetike ushtarake në të cilën Rusia do të sulmonte një vend të NATO-s duke përdorur taktika të luftës hibride, të ngjashme me fazën fillestare të pushtimit të vërtetë të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Narva është një qytet i vogël me një popullsi të madhe ruse në anën estoneze të kufirit me Rusinë. Analistët kanë thënë se një veprim i tillë nga Rusia mund të shihet si një mënyrë për ta testuar gatishmërinë e NATO-s për të rrezikuar një përballje të drejtpërdrejtë për një territor me rëndësi të kufizuar strategjike.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, paralajmëroi për rritjen e sulmeve hibride ruse në gjithë Evropën, në një intervistë për REL-in këtë javë, duke thënë se ka shumë zëra se Putini do ta kryejë një operacion ushtarak në shkallë të plotë kundër shteteve baltike ose Polonisë.

Por, shtoi ai, “inteligjenca jonë nuk sheh ndonjë lëvizje serioze ushtarake në anën tjetër të kufijve tanë, sepse Rusia është e bllokuar në Ukrainë”.

Analistët e ISË-së, megjithatë, thanë më 21 shtator se, ndonëse Estonia dhe Letonia kanë deklaruar se ende nuk kanë vërejtur ndonjë dëshmi për grumbullimin e forcave ruse pranë kufijve të tyre, që do të ishte i nevojshëm për një pushtim në shkallë të plotë të vendeve të tyre, “skenarët për veprimet e Rusisë nuk u janë nënshtruar analizës së hollësishme që meritojnë dhe kërkojnë”.

REL-i kontaktoi disa diplomatë që kanë njohuri për planifikimin e gatishmërisë së BE-së dhe NATO-s, por asnjëri nuk pranoi të jepte shembuj konkretë të asaj që po përgatitet, duke thënë se informacioni është i klasifikuar.

Një zyrtar nga Evropa Qendrore pranoi se në nivel pune zhvillohen diskutime joformale lidhur me atë se çfarë duhet bërë nga pikëpamja logjistike në rast se shtetet baltike dhe Polonia sulmohen, por shtoi se nuk ka udhëzime zyrtare dhe përgatitje konkrete në terren.

Një zyrtar i NATO-s tha se aleanca ka planet kombëtare të mbrojtjes së vendeve anëtare, “të cilat janë tepër sekrete, por në thelb përcaktojnë se çfarë bëjmë në të gjitha llojet e skenarëve të luftës”.

Rinkevics tha se cilësimi i valës së tanishme të sulmeve ruse si “hibride” mund të jetë gjithashtu duke zbehur urgjencën e nevojshme mes zyrtarëve evropianë për ta trajtuar këtë situatë.

“Mendoj se kur përdorim fjalën ‘hibride’, atëherë disi tingëllon, le të themi, më pak e rrezikshme, një terminologji disi më e pafajshme sesa janë në të vërtetë vetë këto akte”, tha ai.
“Mendoj se skenari më i rrezikshëm do të ishte nëse Rusia bëhet e pamatur, nëse ne nuk reagojmë në mënyrë efikase dhe ka viktima të vërteta… Pjesa jonë e Evropës po përpiqet të jetë sa më e gatshme që të jetë e mundur. Por shikoni, nëse Rusia nis sulm me raketa, atëherë është absolutisht e qartë se ky është Neni 5 dhe atëherë është absolutisht e qartë se do të ketë një reagim”, shtoi ai.

Një bazë e përhershme amerikane në Poloni?
Tensionet e rritura kanë tërhequr vëmendjen e Uashingtonit, i cili ka shqyrtuar vendosjen e trupave amerikane në Evropë, marrëveshjet për bazat ushtarake, marrëveshjet për statusin e forcave dhe negociatat e përgjithshme me vendet pritëse.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tha se Uashingtoni dhe Varshava po bëjnë “përparim të madh” drejt krijimit të një baze të përhershme të ushtrisë amerikane në Poloni, gjë që potencialisht do ta zgjeronte praninë ushtarake amerikane në krahun lindor të NATO-s.

Ky zhvillim erdhi një ditë pasi autoritetet polake mbyllën përkohësisht aeroportet në Lublin dhe Rzeszov, kur sulmet ruse goditën pjesë të Ukrainës pranë kufirit me Poloninë, sipas zyrtarëve polakë.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka paralajmëruar gjithashtu se Rusia mund të përpiqet të kryejë sulme me dronë ose raketa ndaj vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën, duke i paraqitur ato si aksidente.

Edhe ai tha se incidente të tilla mund të synojnë të testojnë reagimin e NATO-s dhe të minojnë unitetin e aleatëve. Sipas Tuskut, vlerësimi bazohej në informacione nga NATO-ja, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.

Në mënyrë të ngjashme, shtetet baltike u alarmuan vitin e kaluar kur tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta.

Në pragun e NATO-s: Pikat kufitare që po goditen përgjatë kufijve të Ukrainës
Një kamion i djegur ndodhet pranë kraterit të krijuar nga një dron që shpërtheu 800 metra larg pikës kufitare Jahodin të Ukrainës me Poloninë, më 13 shtator. Sulmi ndodhi në të njëjtën ditë kur një tjetër dron e goditi një tren udhëtarësh që udhëtonte drejt Varshavës, në një stacion hekurudhor ukrainas aty pranë.
Rusia pretendoi se kishte shënjestruar “objekte logjistike” në pikën kufitare, të cilat përdoreshin për “dërgimin e ngarkesave ushtarake në territorin e Ukrainës”.
Shfaq më shumë
Motori i një droni sulmues, i parë mes rrënojave në pikën kufitare Tabaki më 21 gusht.

Kryeministri polak, Donald Tusk, paralajmëroi më 13 shtator se “javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë e veprimeve shumë intensive nga pala ruse”.

Ai shtoi se të dhënat e inteligjencës sugjerojnë se Moska do të “përpiqet të pengojë, paralizojë dhe ndoshta edhe të shkatërrojë pikat kufitare të Ukrainës”.
Sipas zyrtarëve estonezë, pilotët rusë e pranuan, por e shpërfillën komunikimin nga dy pilotë italianë me avionë luftarakë F-35, të cilët ishin ngritur në ajër nga Misioni i NATO-s për Policimin Ajror në Baltik, në bazën ajrore Amari në Estoni, para se përfundimisht t’i shoqëronin avionët rusë drejt hapësirës ajrore ndërkombëtare.

Tsahkna theksoi në intervistën e tij për REL-in se Rusia tashmë po sulmon Evropën.

Në përgjigje të inkursionit, të cilin Rusia e mohon, Estonia bëri thirrje për konsultime sipas Nenit 4 të NATO-s, të cilat janë një hap para aktivizimit të klauzolës së mbrojtjes kolektive të Nenit 5.

“Ne duhet të jemi të gatshëm të veprojmë të bashkuar”, tha Tsahkna.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po jep asnjë shenjë se “vërtet do të donte të kishte një paqe kuptimplotë dhe një paqe të drejtë e të qëndrueshme” me Ukrainën, pas më shumë se pesë vjetësh luftë, dhe po vëzhgon mënyrën se si reagon Evropa ndaj provokimeve.

“Por nëse ai do ta ketë Ukrainën, ky është vetëm një hap dhe do të shohim agresion të mëtejshëm në Evropë”, paralajmëroi ministri estonez.