Konjufca kërkon anëtarësimin e Kosovës në Kartën SHBA-Adriatik: Ka ardhur koha që A5 të bëhet A6
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kërkuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën SHBA-Adriatik (A5). Ai tha se vendi mund të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë rajonale. “Ka ardhur koha që A5 të bëhet A6”, tha Konjufca në takimin e zhvilluar në Nju Jork, gjatë Javës…
Lajme
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kërkuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën SHBA-Adriatik (A5). Ai tha se vendi mund të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë rajonale.
“Ka ardhur koha që A5 të bëhet A6”, tha Konjufca në takimin e zhvilluar në Nju Jork, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konjufca bëri thirrje për një A5 më të fuqishme. Ai tha se bashkëpunimi duhet të mbështetet në qëndrueshmëri, solidaritet dhe llogaridhënie.
Për të shpjeguar rëndësinë e llogaridhënies, Konjufca iu referua sulmit në Banjskë. Ai kujtoi se më 24 shtator bëhen 3 vjet nga sulmi ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Konjufca tha se personat që kryen sulmin vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.
Ai përmendi edhe sulmin e vitit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc. Sipas Konjufcës, ai rast dëshmoi nevojën për mbrojtjen e infrastrukturës jetike nga sabotimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride.
Konjufca tha se Kosova i ka përjetuar drejtpërdrejt këto kërcënime dhe është e gatshme të kontribuojë në përgjigjen rajonale. Ai falënderoi ministrin e Jashtëm kroat, Gordan Grlić Radman, për udhëheqjen e takimit të A5-s.