“Austria është favorite e grupit”, Franco Foda flet para ndeshjes me Irlandën: Kapiten i kemi vendosur Muriqin
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka folur para mediave në konferencën për shtyp, një ditë para ndeshjes ndaj Irlandës, duke dhënë detaje rreth përgatitjeve të skuadrës dhe objektivave të “Dardanëve”. Foda ka konfirmuar se Vedat Muriqi do ta mbajë shiritin e kapitenit të Kosovës, ndërsa zëvendës i tij do të jetë Mërgim Vojvoda. “Kapiteni i…
Sport
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka folur para mediave në konferencën për shtyp, një ditë para ndeshjes ndaj Irlandës, duke dhënë detaje rreth përgatitjeve të skuadrës dhe objektivave të “Dardanëve”.
Foda ka konfirmuar se Vedat Muriqi do ta mbajë shiritin e kapitenit të Kosovës, ndërsa zëvendës i tij do të jetë Mërgim Vojvoda.
“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda”, deklaroi Foda.
Trajneri gjerman ka folur edhe për grupin dhe objektivat e Kosovës, duke pranuar se Austria shihet si favorite, por theksoi se përfaqësuesja jonë synon të bëjë paraqitje të mira dhe të arrijë objektivat e saj.
“Na presin lojë të vështira dhe dihet që në këtë grup është Austria favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, tha Foda.
Foda është shprehur i kënaqur me mënyrën se si futbollistët e rinj janë integruar në skuadër, pavarësisht kohës së kufizuar në dispozicion për përgatitje.
“Kemi lojtarë shumë të mirë dhe kemi lojtarë që i kanë pritur mirë të rinjtë. Nuk kemi pasur aq shumë kohë, por kemi punuar mirë me top dhe kur nuk e kemi topin. Mendoj se jemi përgatitur mirë për të luajtur ndaj Irlandës”, u shpreh trajneri i Kosovës.
Ndërkohë, menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka konfirmuar se dy futbollistët e rinj, Erblin Osmani dhe Dion Kaçuri, i kanë në rregull dokumentacionet dhe janë në dispozicion për ndeshjen.
Vendimi nëse ata do të aktivizohen, megjithatë, mbetet në dorën e trajnerit Foda./Lajmi.net/